Komuna e Malishevës i çoi në deti punëtorët, Auditori dyshon për keqmenaxhim të parasë publike

Komuna e Malishevës ka shpenzuar nga buxheti i saj komunal rreth 5 mijë euro jashtëligjshëm, për t’i dërguar në një shëtitje jashtë vendit punonjësit e saj.

Kjo komunë gjatë viti 2021, kishte organizuar shëtitje jashtë vendit për stafin e saj, konkretisht në Shqipëri me kohëzgjatje prej katër ditëve, duke ua paguar atyre të gjitha shpenzimet e transportit dhe akomodimit për këtë aktivitet në një shumë prej 4 mijë e 730 eurove.

Sipas raportit të auditimit për komunën e Malishevës nga Zyra Kombëtare e Audititmit (ZKA), qëllimi i këtij udhëtimi ishte vetëm për çështje rekreacioni për punonjësit e komunës, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ky udhëtim i punonjësve komunal të Malishevës, për më tepër, ishte paguar nga mjetet e kategorisë Mallra dhe Shërbime.

Por, në bazë të Ligjit nr. 07/L-041 mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës, neni 13 pika 6, shpenzimi i parave publike nga kategoria e shpenzimeve mallra dhe shërbime nuk është i lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të shtesave apo si kontribute në mall, përfshirë këtu shujtat apo dhuratat, duke përjashtuar rimbursimin apo shpenzimet e lejuara për udhëtime jashtë vendit, sipas legjislacionit përkatës.

E përdorimi i fondeve për qëllime tjera, sipas Auditorit të Përgjithshëm, përveç që është në kundërshtim me ligjin e buxhetit, ndikon edhe në keqmenaxhimin e parasë publike.

ZKA i rekomandon kryetarit të komunës së Malishevës, që të sigurohet se çdo shpenzim i bërë nga buxheti i komunës, të bëhet për aktivitete të komunës dhe interes publik, si dhe të jetë në përputhje me ligjin mbi ndarjet buxhetore të vitit përkatës.

Ndryshe, shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve kryesisht kanë të bëjnë me: shpenzimet e derivateve dhe lëndët tjera për ngrohje, mirëmbajtje të objekteve, shpenzime kontraktuese tjera, mirëmbajtje e rrugëve, mirëmbajtje e shkollave, mirëmbajtje të TI-së, karburante për vetura, shpenzime me vendime të gjykatave, etj.

Buxheti final për mallra, shërbime dhe komunali për komunën e Malishevës për vitin 2021, ishte 1 milionë e 996 mijë e 424 euro, prej të cilave ishin shpenzuar 1,939,499€ apo 97% e buxhetit përkatës.  /Buletini Ekonomik/