Kosova deri më 2025, me 200 megavatë kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme

Tashmë është koha e fundit, s’ka përtej ku të shkojmë më, që Kosova duhet të vendosë për të pasur sa më shpejt dhe urgjentisht kapacitete të reja, numerikisht më të shumta të energjisë së ripërtëritshme. “Solar4Kosova do të funksionalizohet më 2025.

Mehmet Gjata

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur më konkretisht dhe ka saktësuar më detajisht synimet dhe planifikimet për ndërtimin e projekteve të reja të burimeve të riëprtëritshme në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Ajo duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve bëri publike më shumë të dhëna rreth ndërtimit të të shpejtë të projekteve të planifikuara të energjisë së rinovueshme, sidomos rreth projektit “Solar4Kosova”, që hynë në kategorinë e centraleve të mëdha solare.

Siç dihet, në bazë të deklaratave të mëhershme të zyrtarëve kompetentë dhe vendimmarrës të Kosovës, centrali solar “Solar4Kosova”, që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, do të furnizojë 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës dhe në këtë mënyrë do ta reduktojë goxha shumë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes.

Lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, është fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit. U theksua nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.

Projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Projekti Solar for Kosovo për ngrohjen qendrore në Prishtinë, me energji solare, sipas vlerësimit fillestar të studimit parafizibilitetit të vitit 2019, ka qenë i vlerësuar se do të kushtojë rreth 64 milion euro”, ka njoftuar ministrja Rizvanolli deputetet e Kosovës.

Mirëpo, sipas saj, kostoja finale e projektit pritet të përditësohet gjatë këtij muaji në kuadër të finalizimit të studimit të fizibilitetit, i cili është duke u realizuar me grant nga qeveria Gjermane.

Ministrja Rizvanolli vuri në dukje se sipas shifrave të studimit të parë, është bërë një plan i financimit: Grant nga Qeveria Gjermane, përkatësisht nga KfW – ja do të jepen 36 milionë euro. 5 milionë euro pritet të jetë kontributi nga Termokos.

”Kemi aplikuar gjithashtu për një grant investim nga Western Balkans Investment Framework -WBIF, për 15 milionë euro, dhe pjesa tjetër është kredi nga BERZH-i. Me këto shifrat që i kemi aktualisht, sipas studimit të parafizibilitetit, 12 milionë euro është kredia nga BERZH”, bëri të ditur Rizvanolli.

Ajo para deputetëve të Kuvendit të Kosovës vuri në dukje se kapaciteti aktual i instaluar i projektit të koogjenerimit, që shfrytëzon prodhimin e avullit të KEK-ut për të ngrohur një pjesë të konsiderueshme të zonës qendrore të kryeqytetit të vendit, Prishtinës, është 140 MW. Duke marrë parasysh këtë, shtimi i 70 MW i bie 50% shtesë nëpërmjet vetëm një projekti.

Sipas Rizvanollit, projekti parashikohet të bëhet funksional tek në vitin 2025. “Sa i përket operimit dhe zbatimit të projektit, Termokos do të jetë njësia ekzekutive e projektit, që ka për përgjegjësi koordinimin e përgjithshëm të projektit, kontrollimin dhe administrimin e tij”, sqaroi ajo.

“Ndërsa, Ministria e Financave do të jetë përgjegjëse për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kanalizimin e tyre tek Termokosi. Sa i përket vitit të finalizimit, planifikohet që projekti të përfundojë në vitin 2025”, theksoi Rizvanolli. Njëkohësisht, po në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ministrja Artane Rizvanolli ka bërë të ditura edhe fazat aktuale të zhvillimit të projekteve të tjera të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Është përqëndruar sidomos te njoftimi për termocentralin solar 100 megavatësh të paraparë të ndërtohet me iniciativë të KEK-ut, në tokat e kësaj korporate energjetike, më saktësisht në kodrat djerrina të krjijuara nga hiri i qymyrit të djegur me vite të tëra për nevoja të termocentraleve, për të cilin projekt Buletini Ekonomik ka njoftuar që në nismë të kësaj iniciative.

Siç dihet tashmë, nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë, ku përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshihen edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, synohet të ndërtohet një park solar 100 MW në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’, dhe sipas tyre, nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati brenda një viti.

“Qasja jonë është se kemi dërguar propozimet tona, që përveç pjesës së investimeve për mirëmbajtjen e kapacitete ekzistuese, parashohim të ndërtojmë edhe parqe solare”, kishte njoftuar muaj më parë kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke njoftuar se “KEK-u tashmë është në bisedime me KFW-në gjermane që të fillohet projekti 100 megavatësh i energjisë solare në ish-deponinë e Kosova A”.

Ndërsa, projekti dytë, sipas Rizvanollit, do të zhvillohet nga sektori privat, pasi deri në fund të vitit, pritet të hapet një ankand – sërish deri në 100 MW për kapacitet diellor. Sipas ministres Rizvanolli, brenda tre viteve Kosova do të ketë së paku 200 MW energji nga kapacitetet e reja të instaluara nga BRE-të.

“Sa i përket projekteve të tjera të BRE, janë disa duke u planifikuar dhe ndodhur paralelisht”, nënvizoi Rizvanolli. “I pari është projekti për një park solar, të parin në Kosovë, në tokën e KEK, kapacitet prej 100MW”, ka njoftuar ajo. “I dyti, parashihet të jetë një investim nga sektori privat, në bazë të pilot ankandit që do të lansohet deri në fund të vitit me kapacitet 50 deri në 100MË”, theksoi ajo. “Ndërsa, vitin tjetër pritet që të lansohen edhe ankande të tjera për energji me erë dhe ose solare”, tha Rizvanolli. “Kjo i bie që brenda 3 viteve të ardhshme deri në vitin 2025, ne të kemi së paku 200MW, të reja për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, që i bie së paku dyfishim i kapaciteteve aktuale për burime të ripërtëritshme të energjisë, deri në fund të mandatit”, përfundoi ajo.

Centrali solar “Solar4Kosovo”, edhe kur të finalizohet i tëri, nuk do ndikojnë edhe aq shumë në eliminimin e thëngjillit si resurs akoma edhe për shumë vite i pacënueshëm energjetik në Kosovë (Kosova sot e kësaj dite rreth 96 për qind të energjisë elektrike e prodhon nga termocentralet me qymyr), por me rëndësi është se po nisin të ndërtohen edhe termocentralet në bazë të diellit në Kosovë.

Siç u tha, projekti “Solar4Kosovo’’ që do të jetë një ndër termocentralet e mëdha diellore në Evropë ka për synim që krahas prodhimit të energjisë elektrike për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit. Nëse del të jetë serioze nisma e autoriteteve tona dhe nëse ka vendosshmëri tek kompetentët për zbatimin e këtij projekti, më në fund, pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues nga vendimmarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme, po ndodhë diçka, së paku dikush po preokupohet dhe së paku po sheshohen mundësitë për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë.

Dhe, mundësi ka, këmbëngulin ekspertët e kësaj fushe. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Por, për të pasur energji të rinovueshme, qoftë nga dielli, qoftë nga era, duhen vizione, nisma dhe vendosmëri. Dhe, tashmë është koha e fundit, s’ka përtej ku të shkojmë më, që Kosova duhet të vendosë për të pasur kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme.

Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, jo vetëm se po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Nisma ka rëndësi shumë të madhe, sikundër që pati inaugurimi kohë më parë i Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës. Sepse Kosova po paralajmëron se po nisë epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare, për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën si një nga ndotësit potencialë të ambientit.

Nëse del të jetë serioze nisma e autoriteteve tona dhe nëse ka vendosshmëri tek kompetentët për zbatimin e këtij projekti, më në fund, pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues nga vendimmarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme, po ndodhë diçka, së paku dikush po preokupohet dhe së paku po sheshohen mundësitë për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë. Dhe, mundësi ka, këmbëngulin ekspertët e kësaj fushe. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Por, për të pasur energji të rinovueshme, qoftë nga dielli, qoftë nga era, duhen vizione, nisma dhe vendosmëri. Dhe, tashmë është koha e fundit, s’ka përtej ku të shkojmë më, që Kosova duhet të vendosë urgjentisht për të pasur kapacitete të rejamë të shumta të energjisë së ripërtëritshme. Nuk duhet që energjia e rinovueshme të jetë më tabu, as në mjediset energjetike kosovare, as te autoritetet, as te zyrtarët dhe vendimmarrësit. Sepse, Kosova, sado e varfër është, me një përkushtim më të gjithanshëm do ta gjente dhe do ta kishte paranë për të nisur projekte energjetike të reja, sosh të imponueshme nga komuniteti botëror energjetik si rrjedhojë e restriksioneve të paralajmëruara dhe që kanë zënë të aplikohen për të gjithë ata që do të përdorin qymyrin si burim energjetik. Paralajmërimet më të reja dhe gjithnjë e më të shpeshta për ndalesa shtesë ndaj përdorimit të qymyrit si burim energjetik, domosdo kanë aktualizuar çështjen e të pasurit më shpejtë dhe më shumë energji elektrike të rinovueshme.

Tashmë, për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme.

Ndërkohë që tani për tani, Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme. Duhet thënë se megjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe ekspertësh, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira.

Prandaj, nisma për ndërtimin e “Solar4 Kosovo” duhet shpejtuar së zbatuari, me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë së ndërtuari ky kapacitet elektroenergjetik solar në Kosovë, në tokën djerrë tonën, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim. Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për 2-3 vjet, dhe që mund të sigurojnë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, është ogur i mirë edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohojë se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Dhe, më në fund kjo nismë le të shërbejë edhe si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare. Kosova, mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta. /Buletini Ekonomik/