Dhjetëra ankesa kundër operatorit kabllor “IPKO” janë duke u parashtruar nëpër organe të ndryshme të rendit që garantojnë mbrojtjen e konsumatorit ndaj shkeljeve që iu bëhen nga operatorët. Ditëve të fundit, shumë qytetarë janë ankuar se IPKO ka larguar shumicën e përmbajtjeve televizive, respektivisht kanalet e sportit nga platforma e saj pa paralajmërime.
Konusmatorët e kësaj kompanie private, që operon në Kosovë tash e sa vite, po ankohen se këto ndryshime janë bërë pa paralajmërime paraprake, dhe se mundësia e shkëputjes së kontratës para kohe, pas mospajtimit me modifikime të tilla, nuk po iu ofrohet, përcjell Buletini Ekonomik.
E Komisioni i Pavarur për Media (KPM), i cili është përgjegjës për monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara nga operatorët kabllor, ka thënë se kompetencë e institucionit të tyre, është ndërhyrja vetëm në rastet kur operatorët kabllor bartin kanale pa marrëveshje valide dhe kanale që janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
Arsim Dreshaj, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në KPM, ka konstatuar për Buletinin Ekonomik se deri më tani, në KPM janë parashtruar vetëm 16 ankesa nga klientët kundër operatorit “IPKO”.
Ankesat në fjalë sipas tij, kanë të bëjnë kryesisht me ndryshimin e pakos së kanaleve të transmetuara nga IPKO dhe marrëveshjeve që kanë lidhur klientët me këtë operator.
Duke iu referuar “Rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele”, nga KPM-ja thonë se në bazë të kësaj rregulloreje, përcaktohet edhe lista e OSHMA-ve me transmetim tokësor dhe dy kanalet e transmetuesit publik që duhet të barten sipas statusit me bartje të obligueshme, ndërsa pjesa tjetër përcaktohet nga vet operatori i shpërndarjes sipas marrëveshjeve valide të siguruara për ritransmetim.
Ndërsa, sa i përket obligimeve për listën e kanaleve, sipas nenit 9 të rregullores së cekur më lartë, KPM-ja thotë se përcaktohet lista e kanaleve me bartje të obligueshme, ndërsa pjesa tjetër përcaktohet nga vet OSH-të sipas marrëveshjeve që sigurojnë.
“KPM ka kompetencë të ndërhyjë vetëm në ato raste kur operatoret bartin kanale pa marrëveshje valide dhe në rast se këto kanale kanë përmbajte e cila është në kundërshtim me rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e KPM-së drejtuar Buletinit Ekonomik.
Në fund, ata gjithashtu konfirmuan se institucioni i tyre është duke i trajtuar ankesat e parashtruara nga palët ankuese, dhe nëse ka shkelje lidhore, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit të KPM-së. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/