Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën nga ora 11:00, ku përveç shqyrtimit të pikave nga seancat e kaluara, pritet të caktohet edhe data e seancës së re plenare.
Në rend dite janë shqyrtimi i disa projektligjeve, dhe pikave të papërfunduara nga seancat e mbajtura që nga prilli e deri më sot.
Në mesin e shumë pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116.
Ky Projektligj do të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës, pa aprovim të këtij Komisioni apo Qeverisë.
Kujtojmë se të mërkurën më 25 maj 2022, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Transfere nuk ka kaluar Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti).
Deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.
Rendi i ditës:
I. Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
II. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022:
14. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale.
III. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 24, 25 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022:
11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
IV. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 7 dhe 14 prill 2022:
8. Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,
V. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 14, 19 prill, 11 dhe 19 maj 2022:
7. Votimi i mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.
VI. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5, 11 dhe 13 maj 2022:
5. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,
7. Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,
8. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,
9. Debat parlamentar për punën e Qeverisë së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.
VII. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 26 maj 2022:
4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës,
5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës,
8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve,
9. Zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit,
10. Zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.
VIII. Përgatitjet për seancë plenare të re të radhës:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme,
4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116.
IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.