OBSH: Nuk ka shenja se ndryshimi i stinëve ndikon te koronavirusi

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se ka pak prova që tregojnë se ndryshimi i stinëve do të ndikojë në përhapjen e koronavirusit.

“Nuk mund të mbështetemi në pritjet se sezoni ose temperatura do të jenë përgjigjja e kësaj”, tha udhëheqësi i programit të emergjencave në OBSH, Mike Ryan.

Reklama e sponzorizuar

“Tani për tani, nuk kemi të dhëna që sugjerojnë se koronavirusi do të sillet në mënyrë më agresive ose jo kur sezoni të ndryshojë”, tha ai.

Në fazat e para të pandemisë së koronavirusit, disa kanë thënë se koha e nxehtë mund ta ngadalësojë përhapjen e tij.

Por, kjo ide është zbehur pasi koronavirusi ka vazhduar të përhapet në hemisferën veriore edhe gjatë pranverës.

Ryan po ashtu tha se mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse mbetet një çështje madhore në nivel global.

“Sistemet shëndetësore në disa vende janë duke luftuar dhe ndodhen nën presion të madh”, tha ai.

Koronavirusi, i cili besohet se e ka origjinën në Kinë, ka prekur mbi 7.2 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 3.4 milionë janë shëruar dhe mbi 413,000 kanë vdekur.