Kurti: Jemi duke punuar në strategjinë afatgjate të dekarbonizimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se krahas strategjisë kombëtare të energjisë, Kosova është duke punuar edhe në finalizimin e draft strategjisë afatgjate të dekarbonizimit.

”Jemi duke punuar në finalizimin e draft strategjisë afatgjate të dekarbonizimit përmes së cilës do t’i hapim rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, në të cilën rritja ekonomike arrihet me emetime të ulëta të gazrave serrë”, tha kryeministri në fjalimin e tij në ngjarjen që po shënonte fillimin e edicionit të pestë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDË) 2022, ngjarjes më të madhe për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon.

Në fjalimin e tij të hapjes, kryeministri Kurti premtoi se qeveria e tij do të bashkëpunojë ngushtë me bizneset private dhe shoqërinë civile, me qëllim që rritja ekonomike të mos bëhet duke rritur konsumin e burimeve natyrore.

Reklama e sponzorizuar

“Synimi ynë është që rritja jonë ekonomike të mos bëhet në kurriz të rritjes së konsumit të burimeve tona natyrore. Për këtë ne do të bashkëpunojmë ngushtë me bizneset private dhe shoqërinë civile, andaj edhe kemi filluar procesin e hartimit të përbashkët të udhërrëfyesit për ekonominë qarkore përmes të cilit trasojmë rrugën drejt një të ardhme më të qëndrueshme”, tha kryeministri Kurti në fjalimin e tij të hapjes.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij theksoi se krizat e ndryshme sikurse pandemia dhe lufta në Ukrainë nuk duhet të jenë pengesë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër.

Ai tha se Qeveria ka përcaktuar pesë shtylla të ndryshme për përshpejtimin e Agjendës së Gjelbër.

KSDW 2022, i cili do të mbahet deri më 10 qershor, organizohet në partneritet mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, GIZ, Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF).