MBPZHR: Çmimet e larta të imputeve bujqësore në kohën e mbjelljeve, sfidë për fermerët kosovarë

Sektori i bujqësisë

Në Ministrinë e Bujqësisë ende nuk kanë të dhëna të sakta rreth sipërfaqeve të mbjella me kultura pranverore dhe për përmbushjen e planit të këtyre mbjelljeve.

Ministria e Bujqëisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka njoftuar se mbjelljet pranverore të kulturave bujqësore, praktikisht, tashmë janë në përfundim dhe gjatë kësaj periudhe janë duke u realizuar mbjelljet e kulturave perimore në fushë të hapur. Por, në Ministrinë e Bujqësisë ende nuk kanë të dhëna të sakta rreth sipërfaqeve të mbjella me kultura pranverore dhe për përmbushjen e planit të këtyre mbjelljeve.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie ata se kanë dërguar kërkesë në Drejtoritë Komunale për Bujqësi për të marrë të dhëna për sipërfaqet e mbjella në këtë stinë në komunat përkatëse, por akoma nuk kanë marrë këto të dhëna.

Reklama e sponzorizuar

Siç thuhet në përgjigjiet e tyre, MBPZhR-ja në muajin qershor e përgatitë raportin përfundimtar me të dhënat zyrtare lidhur me sipërfaqet e mbjella me kultura pranverore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, sipas informacioneve të pranuara nga terreni, MBPZHR-ja ka njoftuar se fermerët nuk kanë pasur ndonjë vështirësi të veçantë në realizimin e mbjelljeve pranverore, me përjashtim që janë përballur me çmime më të larta të inputeve bujqësore.

Sfidë jo e vogël për bujqit kosovarë kanë qenë pra çmimet e larta të reporomaterialit të nevojshëm për mbjellje pranverore, sidmos çmimi i lartë i plehrave kimike dhe farërave për drithërat dhe përimet e kësaj stine.

Siç ka njoftuar edhe më heret Buletini Ekonomik çmimet e materialit riprodhues, sidomos të plehrave kimike të nevojshme për agrarin kosovarë, janë ngritur deri në 300 për qind. Kësisoji, bije fjala një thes i plehut artificial -Urea, që gjatë vitit të kaluar ka kushtuar 8 euro, sot thuaja në të gjitha farmacitë bujqësore dhe në pikat e tjera të tregtimit të këtij produkti në Kosovë, kushton 25 euro, mbase mund të gjendet në ndonjë pikë tregtimi edhe me 24 euro. Kjo rritje kaq e madhe e një produkti-lëndë e parë e rëndësishme në bujqësi nuk ka ndodhur deri tani në Kosovë, sepse i bie që çmimi i një thesi të plehur artificial është ngritur trefish, ose në përqindje 300 për qind.

Janë ngritur, përafërsisht në këtë nivel, ose pak më pak se Urea edhe të gjitha llojet e tjera të plehrave artificiale dhe produktet e tjera të repromaterialit të bujqëve kosovarë, të cilat janë të domosdoshme për mbjelljet pranverore dhe për riplehërimin e grunajave.

MBPZhR-ja poashtu njofton se përmes Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022 e ka rritur përkrahjen për kultivuesit e kulturave bujqësore, duke përfshirë këtu subvencione edhe për inputet bujqësore për plehërim pranveror.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/