Ministria e Ekonomisë vazhdon t’i mbajë në regjistrat e ‘investimeve në vijim’ disa projekte milionëshe, që kanë përfunduar që moti dhe është bërë edhe pranimi teknik i tyre.
Në raportin e auditimit të kësaj ministrie për vitin 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) konstaton se ka hasur në dobësi në menaxhimin e pasurisë në Ministrinë e Ekonomisë.
Dhjetëra projekte në vlerë të gjithsej 4 milionë e mbi 75 mijë eurove, figurojnë ende si investime në vijim në regjistrat e Ministrisë së Ekonomisë, ndonëse kishin përfunduar dhe ishte bërë pranimi teknik i tyre më herët, përcjell Buletini Ekonomik.
Kështu, ME kishte vazhduar t’i mbajë si invesime në vijim projektet kapitale që ishin realizuar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, të cilat kanë përfunduar dhe është bërë pranimi teknik i tyre. Vlera totale e këtyre projekteve ishte 2 milionë e 724 mijë e 523 euro.
Sipas zyrtarëve përgjegjës në ministri kjo kishte ndodhur për shkak se ME-ja ka ende paqartësi lidhur me pronësinë e këtyre pasurive dhe ende nuk është definuar nëse këto pasuri duhet të barten apo të mbeten pronë e ME-së.
Po ashtu, ME vazhdon t’i mbajë si invesime në vijim edhe tri projekte kapitale tjera të realizuara për organizatat tjera buxhetore, edhe pse kanë përfunduar dhe është bërë pranimi teknik i tyre nga komisionet përkatëse. Vlera totale e tyre ishte 1 milionë e 315 mijë e 456 euro.
Përveç këtyre, edhe gjashtë pajisje të Laboratorit të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës në vlerë të 35 mijë e 475 eurove, të pranuara në muajin tetor të vitit 2020, ishin regjistruar si investim në vijim dhe si rezultat i kësaj nuk ishte llogaritur zhvlerësimi në vlerë të 6 mijë e 898 eurove.
Nga ZKA-ja vlerësojnë se mangësitë e identifikuara në rastet e këtyre projekteve ishin si rezultat i funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme.
Sipas ZKA-së, të gjitha pasuritë jofinanciare kapitale që gjenden në fazën e investimeve në vijim apo në fazën e ndërtimit, duhet të regjistrohen në regjistrin kontabël në kategorinë e investimeve në vijim. Ndërsa, pas përfundimit të procesit të investimit, pasuria jo financiare kapitale duhet të klasifikohet si pasuri jo financiare në përdorim. Kurse, nga momenti i aftësimit të pasurisë për përdorim do të zbatohet edhe zhvlerësimi.
Ndërkohë, në momentin kur pasuria jo financiare i ka kaluar të gjitha rregullat dhe procedurat e pranimit nga ana e OB, atëherë kategoria e investimeve në vijim mbyllet edhe në regjistrat e OB-së pranuese dhe OB-së bashkë financuese, dhe pasuria më pas regjistrohet në regjistrin e pasurisë së OB-së pranuese.
“Mos definimi i pronësisë së pasurive të investuara nga ME dhe mbajtja e tyre si investime në vijim ndikon në prezantimin jo të drejtë të pasurisë. Më tutje paqartësitë mbi pronësinë e investimeve krijojnë parakushte për parregullësi dhe keqmenaxhim”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori i Përgjithshëm i rekomandon ministres aktuale që të sigurohet që për të gjitha investimet e realizuara në “Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve” në Prizren dhe për projekte tjera të ngjajshme, të definohet pronësia e investimeve, kurse për pronat të cilat i takojnë institucioneve tjera, të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me bartjen e pronësisë në mënyrë që gjendja e pasurisë të prezantohet saktë si dhe të evitohet mundësia për keqmenaxhim të tyre. /Buletini Ekonomik/