Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shpenzuar nga buxheti i saj plot 45 mijë euro për çdo muaj për një vit të tërë, për një objekt të kontraktuar, por që nuk e kishte shfrytëzuar asnjëherë.
Kjo ministri kishte lidhur kontratë me një operator ekonomik për shfrytëzimin e një objekti/hapësire me qira duke filluar nga data 17.09.2019, ku sipas nenit 3.1 të kontratës së nënshkruar, çmimi të cilin duhet të paguante MKRS-ja për shfrytëzim të objektit ishte 45,000 euro në muaj për 2,500m2, përcjell Buletini Ekonomik.
Në raportin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Kulturës, konstatohet se ministria edhe pse nuk e kishte shfrytëzuar këtë objekt, kishte vazhduar ta paguajë qiranë për objektin dhe nuk kishte ndërmarr asnjë hap deri me datë 11.08.2020, kur edhe kishte marrë vendim për shkëputje të kësaj kontrate.
Ndërkohë, si rezultat i mos kryerjes së obligimeve nga ministria, Operatori Ekonomik e kishte dërguar lëndën tek përmbaruesi privat. Bazuar në vendimin përmbarimor, Thesari është detyruar që me datë 30.12.2021 të kryejë pagesën në vlerë të 481 mijë e 651 eurove, prej të cilave 415,678 euro kanë qenë si borxh kryesor, kurse 65,973 euro shpenzime të përmbarimit dhe kamatës.
Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak të funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme. Ndërkohë, Auditori vlerëson se realizmi i pagesave për objektin/hapësirën e cila nuk është shfrytëzuar fare nga MKRS, ka ndikuar në dëmtim të buxhetit edhe të ministrisë edhe të buxhetit të shtetit.
Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon ministrit që të sigurohet se janë trajtuar të gjitha kërkesat për lidhjen e kësaj kontrate si dhe mosshfrytëzimit të saj, po ashtu, të trajtojë shkaqet e mos ndërmarrjes me kohë të veprimeve nga zyrtarët kompetent për shkëputjen e kontratës.
“Më tutje, të ndërmarrë veprimet e nevojshme konform kërkesave ligjore në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten rastet e tilla”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas nenit 4 të marrëveshjes, kohëzgjatja e kontratës do të ishte për një periudhë 24 muaj nga data e hyrjes në fuqi, porse kontrata mund të ndërpritej edhe më herët nga të dyja palët me një njoftim paraprak prej së paku një muaj. /Buletini Ekonomik/