Dje çmimi enorm i qershive në njërin nga marketet e shumta të Prishtinës, nuk kaloi pa i befasuar prishtinasit. 7 euro një kilogram i qershive, çmim ky i ekspozuar dukshëm mbi qershitë në këtë market, bëri që qytetarët në kalim e sipër të ndalen para këtij çmimi, të komentojnë të quditur, por edhe të shqetësuar.
Çmimet e larta, madje edhe ato të ngritura shumë brenda ditës, më nuk paraqesin befasi për qytetarin e Kosovës. Për çdo ditë, në tregjet e gjelbra, në markete, supermarkete dhe në të gjitha shitoret ku tregtohen produktet prej më të ndryshmeve, ndodhin ngritje të pakuptueshme çmimesh, dhe si të tilla shumë sosh bëhen të pakapshme për konsumatorët.
E dje çmimi enorm i qershive në njërin nga marketet e shumta të Prishtinës, nuk kaloi pa i befasuar shumë prishtinas. 7 euro një kilogram i qershive, çmim ky i ekspozuar dukshëm mbi qershitë në këtë market, bëri që qytetarët në kalim e sipër të ndalen para këtij çmimi, të komentojnë të quditur, por edhe të shqetësuar.
“E shikoni 7 euro kilogrami i qershive. Nuk më ka ra të shohë as të dëgjojë deri tani për një çmim kaq të lartë” dëgjohet t’i thotë një i moshuar një bashkëbiseduesi para qershive me çmimin “e kripur”. Kjo është shumë, edhe pse ndoshta në Kosovë ende nuk ka arritur stina, ose “piku” kur dalin a kur arrijnë qershitë, por edhe nga pemëtarët vendor, 7 euro kilogrami, është tepër” thoshte ai.
Ky çmim nuk mund të haset as në shtetet më të pasura perëndimore, as në ato më të largtat dhe ku për ta dërguar një produkt kushton shumëfish më shtrenjtë se në Kosovë, që shtrihet në afërsi të drejtëpërdrejtë të vendeve mesdhetare, dhe në afërsi të Turqisë, të Greqisë, por edhe ngjitas me Shqipërinë, ku shumë pemë, ndër to edhe qershia, importohen nga vendi ynë.
Ky çmim, duket të jetë megjithatë goxha i veçantë për shkakun se në tregjet e gjelbëra kilogramin e qershive edhe tani këtyre ditëve, mund ta gjesh përgjysmë me çmim më të ulët.
Buletini Ekonomik ka vizituar edhe tregjet e gjelbra, ku tregtohen pemë dhe perime në Prishtinë, dhe është vërejtur një tjetër çmim i qershive, pra dukshëm më i ulët dhe më i pranueshëm për konsumatorët, madje përgjysmë më i ulët se sa ai nëpër markete.
Në Tregun e Gjelbër, kryesorin në kryeqytet, kilogrami i qershive mbrëmë tregtohej nga 1 euro e gjysmë deri në 3 euro, por si çmim dominues në shumë shtande me qershi të këtij tregu, dominonte çmimi 2 euro e gjysmë për kilogram.
Ndoshta cilësia dhe freskia e qershive në tregjet e gjelbra nuk ka qenë si ajo në marketing, ku qershit dje patën çmimin 7 euro për një kilogram, por gjithsesi, diferenca kaq e madhe e kostos së një produkti, për konsumatorët bëhet e diskutueshme.
Ndryshe, këtë vit në shumë sektorë në vend, është parë një rritje e jashtëzakonshme e çmimeve, duke përfshirë këtu edhe produktet esenciale, të cilat janë të domosdoshme në shportën e konsumatorit.
Buletini Ekonomik, në rubrikën e veçantë dedikuar ecurive të çmimeve në Kosovë dhe zhvillimet në këtë fushë, thuaja për çdo ditë raporton për çmime të reja të ngritura, për çmime të larta enorme të produkteve bazike ushqimore, përfshirë këtu vajin, sheqerin, miellin, por edhe produktet bujqësore të nevojshme për familjet tona. /Buletini Ekonomik/