Nga njëra anë konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, që nuk duket të jetë drejt përfundimit dhe nga ana tjetër një fazë e re pandemie që godet Kinën dhe vendet aziatike në përgjithësi. Janë faktorët kryesorë që vënë në vështirësi aktivitetet e kompanive shumëkombëshe perëndimore që veprojnë në tregjet ndërkombëtare.
Një gjë e tillë i ka ndodhur firmave të njohura si McDonald’s, Renault e Starbucks të cilat janë larguar nga Moska. Tani edhe Nike, deklaron se nuk do të shesë më produktet e tij në territor rus, por dhe Airbnb, që do të largohet nga Pekini që më 30 korrik.
Marka e njohur amerikane e veshjeve sportive, nuk ka rinovuar marrëveshjet në 37 dyqanet e saj në Rusi. Disa dyqane në Rusi rezultojnë ende hapur por vetëm sepse nuk lidhen drejt për së drejti me kanale zyrtare shitjesh por menaxhohen nga partnerë të pavarur. Vendimi i Nike nuk ishte i papritur pasi u parapri nga sipërmarrje të tjera duke e detyruar Rusinë që t’i rikthehet prodhimit vendas, me pasoja të rënda për shoqërinë sidomos për brezat e rinj.
Airbnb, shoqëria për dhënien me qera të shtëpive për një kohë të gjatë ose të shkurtër, ishte e vetmja kompani e madhe që kishte mbetur ende në Kinë por tani ka vendosur të ndërpresë aktivitet e saj të nisura nga 2016, kur kompania numëronte 25 milionë rezervime mesatarisht. Një lëvizje që bën dhe më të qartë ndarjen e Pekinit nga pjesa tjetër e botës në fushën e teknologjisë.
Një nga arsyet kryesore të këtij vendimi është konkurrenca e fortë me aplikacionet vendore që vendosin tarifa më të ulëta dhe rezultojnë më të mira për klientin në fund. Por ajo që përshpejtoi marrjen e vendimit është dhe censura e fortë që qeveria aplikon në dëm të aktiviteteve të ekonomive të huaja në Kinë por dhe pandemia dhe izolimet e reja që vështirësuan dhe më shumë aktivitetet.
Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, udhëtarët kinezë jashtë vendit ishin rritur tre herë më shumë në më pak se dhjetë vjet, përpara pandemisë. Totali në vitin 2019 ishte 155 milionë. Megjithatë, që nga viti 2020, e gjithë seria e kufizimeve të vendosura nga vendi për shkak të emergjencës COVID-19, ndër më të rreptat në botë, e ka bërë gjithnjë e më të vështirë udhëtimin drejt, dhe nga Kina.
Në këtë kontekst, Airbnb ka njoftuar se do të mbajë të hapur zyrën e Pekinit, por do të heqë 150 mijë listime në të gjithë vendin – nga gjashtë milionë në mbarë botën – duke filluar nga 30 korriku. Megjithëse sektori i turizmit është në një fazë rikuperimi, qëndrimet në vend përbëjnë rreth 1 për qind të biznesit të Airbnb në vitet e fundit. Kompania gjeneroi 6 miliardë dollarë të ardhura vitin e kaluar, 77 për qind më shumë se një vit më parë, por tani është nën presion për të fituar më shumë pasi aksionet ranë me 34 për qind këtë vit.