Norvegjia do të rrisë investimet në energjinë e erës për të shkuar drejt burimeve të rinovueshme

Norvegjia zbuloi të mërkurën planet e saj për investime të mëdha në prodhimin e energjisë së erës në det të hapur (offshore) deri në vitin 2040, duke synuar që ta kthejë vendin që e ka ndërtuar pasurinë e tij falë naftës dhe gazit, në një eksportues të energjisë elektrike të rinovueshme.

Qeveria e qendrës së majtë, e cila është sulmuar nga ambientalistët për shkak se ka vazhduar të mbështesë industrinë e naftës dhe të gazit, vendosi një objektiv për të zhvilluar kapacitete të prodhimit të energjisë elektrike në det të hapur prej 30 gigavat (GW) deri në vitin 2040.

“Kjo pothuajse do të dyfishonte prodhimin tonë të energjisë,” tha kryeministri Jonas Gahr Stoere në një konferencë shtypi.

Reklama e sponzorizuar

Norvegjia, e cila thotë se bota ka ende nevojë për naftën dhe gazin e saj gjatë tranzicionit drejt një të ardhmeje të energjisë më të pastër, beson se zhvillimi i energjisë së erës në det të hapur do t’i japë asaj mundësinë që të shfrytëzojë njohuritë nga industria e vet ekzistuese e energjisë.

Një numër i madh kompanish të ofrimit të energjisë elektrike, firmash të naftës dhe të gazit, si dhe kompanish inxhinierike, janë shprehur të gatshme për të zhvilluar projekte energjetike offshore në Norvegji, duke përfshirë kompanitë Equinor, Shell, BP, Orsted dhe Eni.

Norvegjia ka nevojë për më shumë energji për konsum të brendshëm, por plani i ri e tejkalon kërkesën e pritshme nga konsumatorët familjarë dhe nga industria.

“Një pjesë e konsiderueshme e energjisë elektrike do të eksportohet te vende të tjera”, tha qeveria në një deklaratë.

Deri më sot, Norvegjia ka hapur dy zona në Detin e Veriut për zhvillimin e energjisë së erës deri në masën 4.5 GW, me një tender fillestar prej 1.5 GW që pritet të hapet më vonë gjatë këtij viti.

Raundet e licencimit për sipërfaqet e reja do të zhvillohen në intervale të rregullta nga viti 2025 e tutje, tha qeveria.

Lidhjet me rrjetin elektrik do të konsiderohen rast pas rasti dhe mund të përbëhen nga kabllo hibride, të cilat lidhen me disa tregje në të njëjtën kohë, ose me kabllo direkte drejt një destinacioni të vetëm, të ashtuquajturat kabllo radiale, për në Europë dhe Norvegji.

Drejtuesit në këtë fushë të industrisë, sindikatat dhe disa parti opozitare kishin bërë gjithashtu thirrje për një objektiv afatgjatë për të ndihmuar në sigurimin e parashikueshmërisë për investimet e zinxhirit të furnizimit në Norvegji.

Industria vendase e energjisë, e cila e kishte kritikuar qeverinë se po bënte hapa shumë të ngadaltë, e mirëpriti ambicien e qeverisë.

“Ky plan do të vendosë themelet për zhvillimin industrial të energjisë së erës offshore,” tha në një deklaratë Shoqata Norvegjeze e Naftës dhe e Gazit./ Reuters