Deputetët e opozitës në Komisionin për Buxhet dhe Transfere kanë përkrahur projektligjin për Trustin të propozuar nga PDK-ja.
Armend Muja i VV-së që është kryetar i Komisionit, është shprehur kundër.
Avdullah Hoti nga LDK tha e përkrahin plotësisht projektligjin.
“Ne e mbështesim këtë Projketligj plotësisht. Qeveria nuk i ka dhënë sqarimet e nevojshme se pse veprimet e qeverisë e arrijnë qëllimin e njëjtë sikur të tërheqjes së kursimeve pensionale. Mosha mesatare e personave që kanë kursime është relativisht e re, që nënkupton se pensioni i tyre pas 15 deri 20 viteve pensioni i tyre do të ketë fare pak efekt”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se ai dhe AAK e përkrahin Projektligjin dhe votojnë për.
“Ju bëj thirrje të shkoni përtej petkut politik, ta lëni krenarinë anash dhe të fokusohemi te e mira e përbashkët që është qytetari, po e them që ne e kuptojmë këtë gjendje të ndjeshme, që ndoshta nuk është metoda më e mirë e mundshme por derisa ne kemi një krizë ekonomike derisa se çmimet në treg janë rritë mbi pritshmërinë tonë por qeveria është për të zgjidhur çështjet dhe unë mendoj që ju duhet t’i tejkaloni inatet politike dhe të vendosni në të mirë të qytetarëve. Vota e ime dhe e AAK-së është pro”, tha Lekaj.
Ndërkaq deputetja Duda Balje nga Grupi Multietnik, tha se abstenon pasi deputetët e këtij grupi janë të ndarë sa i përket votës pro.
“Në emër të grupit multietnik, ku jemi tetë deputetë, dje deri vonë kemi pasë një takim, kurse unë sot abstenoj pasiqë në grup jemi katër me katër në favor të këtij Projektligji”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit, deputeti i VV-së, Armend Muja tha se është kundër Projektligjit pasi që favorizohen klasa e pasur.
“Unë ju kam drejtu Trustit Pensional me kërkesën që nëse zbatohet një ligj i tillë cili do të ishte implikimi buxhetor. Në bazë të Trustit Pensional, propozimi nënkupton tërheqjen e 594 milionë eurove, nga të cilat në kategorinë e atyre që përfitojnë nga tërheqja 10% janë janë 15 milionë euro, me 2700 përfitues, nga kategoria e 15% tërheqje tërhiqen 18 milionë euro me 3600 përfitues, në kategorinë e atyre që përfitojnë 20% tërheqje tërhiqen 45 milionë euro me 9 mijë përfitues, nga kategoria e atyre që përfitojnë me 25% duhet të tërhiqen 169 milionë euro me 51 mijë përfitues, nga kategoria që përfitojnë tërheqje prej 30%, janë 628 mijë përfitues dhe vlera e tërsishme e tërheqjes së tyre do të ishte 345 milionë euro. Përfundimi që e kam nxjerrë është se ky projektligj është hartuar për t’i ndihmuar shtresës së pasur. 60 mijë persona i tërheqin 300 milionë euro, kurse 600 mijë të tjerë i tërheqin 300 milionë euro të tjera”, tha Muja.