ZRRE: Vetëm kemi shtyrë zbatimin e vendimit për rritje tarifash për energjinë, nuk e kemi anuluar

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), përmes një komunikate për media sot, ka qartësuar se Bordi i saj ka vendosur që vetëm ta shtyjë ekzekutimin e zbatimit të vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët me pakicë, por nuk e ka anuluar të njëjtin vendim.

Sipas tyre, ditëve të fundit ka pasur keqinformim të publikut lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“ZRRE qartëson për publikun e gjerë dhe për konsumatorët se Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit por jo anulim të vendimit”, thuhet në komunikatë.

Reklama e sponzorizuar

Nga ZRRE thonë se shqyrtimi meritor lidhur me vendimin për tarifat me pakicë, akoma nuk ka filluar nga Gjykata Themelore.

Sipas tyre, përderisa ende nuk ka ndonjë verdikt final të çështjes meritore nga gjykata, “ftohen të gjitha palët e interesit, që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë”.

“ZRRE informon publikun se është duke i respektuar aktvendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës dhe bazuar në aktvendimin e gjykatës ka nxjerrë vendim për zbatim të këtij aktvendimi, e të cilin ia ka dërguar të licencuarit për zbatim”, thuhet tutje në reagimin e ZRRE-së.

Tutje, nga ZRRE thonë se duke marrë parasysh paqartësitë rreth implementimit të vendimit të ngritura edhe nga Furnizuesi me Shërbim Universal lidhur me faturimin, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme për mendimin juridik, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor duke kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës.

“ZRRE siguron të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike se nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike”, përfundon komunikata e tyre. /Buletini Ekonomik/