Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se Marrëveshja e arritur ndërmjet Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeverisë së Kosovës ka për qëllim energjinë e pastër dhe ruajtjen e saj.
Rizvanolli duke folur në Kuvendin e Kosovës, theksoi se vlera pre 202 milionë dollarëve do të përkrahet nga MCC-ja, kurse pjesa e tjetër nga vet qeveria.
“Sipas marrëveshjes së negociuar me MCC-në gjatë javës së kaluar është propozuar një program Kompakt, i cili është në vlerë prej 202 milionë dollarë, ndërsa pjesa e tjetër do të financohet nga Qeveria e Kosovës. Qeveria do të themeloj një entitet që do të jetë përgjegjës për zbatimin e programit dhe për të mbikëqyrur atë”, tha Rizvanolli, përcjell Telegrafi.
Ajo ka sqaruar se brenda këtij programi janë disa aktivitete.
“Objektivi i programit është ruajtja e energjisë që do të mbështetë në një të ardhme më të pastër të energjisë. Brenda këtij projektet janë disa aktivitete, si ai për rregullimin e frekuencës që synon të mbështes KOSTT-in. Ky projekt zbut disbalancat e rrjetit energjetik dhe duke mundësuar integrimin e energjisë nga prodhimet e ripërtrishme. Aktivitet tjetër është ai i sigurimit të energjisë që synon operimin e 125MËh për rezerva 250MËh, të një apo më shumë të sistemeve të baterive dhe sistemeve të tjera”, ka sqaruar ajo.
MCC-ja ka njoftuar se vlera e kësaj marrëveshje është 236.7 milionë dollarë, gjë që ka për qëllim që të forcojë sektorin e energjisë së Kosovës.
Kjo marrëveshje, së pari duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të miratohet nga Bordi i MCC-së.
Më 20 prill 2016, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.