Si të gjeni fluturimet më të lira në internet

Kur bëhet fjalë për gjetjen e fluturimeve të duhura, kostoja është një faktor i rëndësishëm për shumë prej nesh – nëse vërtet nuk ju intereson se sa i shtrenjtë është fluturimi juaj, atëherë me siguri ose jeni duke udhëtuar me paratë e kompanisë, ose jeni aq të pasur sa për të pasur avionin tuaj privat.

Për të gjithë të tjerët, ka disa këshilla dhe truke që duhen ditur për të gjetur ofertat më të mira.

Kombinoni disa linja ajrore

Linjat ajrore në mbarë botën operojnë sipas një orari kompleks që është gjithnjë në ndryshim, dhe ndonjëherë ju mund të kurseni disa para duke kombinuar fluturime nga kompani të ndryshme. Varet se kur dhe ku do të shkoni, dhe mund t’ju duhet që të kaloni një kohë më të gjatë duke udhëtuar, por ekziston mundësia për të kursyer nëse dini se ku të kërkoni.

Reklama e sponzorizuar

Një nga faqet më të mira në internet është Kiwi, e cila ju jep një mori opsionesh për të zgjedhur kur plotësoni vendndodhjet e pikënisjes dhe të destinacionit. Në fillim do të shfaqen ofertat më të lira nga shumë linja ajrore dhe ju mund të rregulloni lehtësisht kriteret tuaja të kërkimit (duke përfshirë numrin e ndalesave dhe ditët në të cilat dëshironi të udhëtoni) nëpërmjet opsioneve të filtrave që ndodhen në të majtë të faqes.

Shihni dy destinacione në një udhëtim

Një nga mënyrat për të përfituar më shumë nga një udhëtim është duke e kthyer një ndalesë në një qëndrim më të gjatë (por gjithsesi të shkurtër). Nëse ju duhet të lidhni dy fluturime së bashku për të arritur në destinacionin tuaj, pse të mos e shfrytëzoni sa më shumë këtë mundësi duke vizituar pak vendin ku do të ndryshoni fluturimet? Sigurisht, është e rëndësishme të siguroheni që ky është një vend që realisht dëshironi ta vizitoni.

Për këtë mund t’ju ndihmojnë disa faqe të njohura për kërkimin e fluturimeve, por gjithashtu ia vlen të kontrolloni drejtpërdrejt linjat ajrore. Për shembull, Icelandair ka një faqe të dedikuar për ndalesat: kur fluturoni përmes Atlantikut me këtë linjë ajrore për në çdo destinacion, mund të shtoni një ndalesë në Islandë për 1 deri në 7 ditë pa asnjë kosto shtesë.

Prisni momentin e duhur

Siç mund ta keni vënë re nëse keni shpenzuar shumë kohë duke kërkuar për fluturime, kostoja e tyre do të ndryshojë në varësi të faktit se sa shpejt e rezervoni paraprakisht fluturimin tuaj. Nuk ka një kohë të caktuar që vlen për të gjitha linjat ajrore dhe për të gjitha destinacionet, prandaj ndonjëherë mund të jetë e vështirë për të kuptuar nëse duhet të rezervoni sa më shpejt apo sa më vonë që është e mundur, në mënyrë që të merrni ofertën më të lirë.

Skyscanner është një nga faqet më të mira për kërkimin e fluturimeve në internet, e cila ju tregon se si ndryshojnë çmimet e udhëtimeve në muaj të caktuar. Nëse klikoni butonin “Merr njoftime për ndryshimin e çmimeve” në ekranin e rezultateve të kërkimit, mund të bëni të mundur që Skyscanner t’ju mbajë të përditësuar në lidhje me luhatjet e çmimeve për itinerarin që keni zgjedhur, në mënyrë që të shfrytëzoni momentin për të bërë rezervimin kur kostot fillojnë të ulen.

Gjeni shpejt ofertat e çmimeve

Linjat ajrore shpesh bëjnë oferta dhe zbritje të çmimeve për shumë arsye të ndryshme – për të tërhequr klientë të rinj, për të mbushur fluturimet, e kështu me radhë – por nëse nuk keni mundësi që të uleni përpara kompjuterit për ditë të tëra në pritje të këtyre ofertave, mund të jetë e vështirë për t’i kapur ato kur shfaqen. Për fat të mirë, ka disa faqe interneti që e bëjnë këtë punë për ju.

Një nga këto faqe është Scott’s Free Flights. Ju mund të vendosni destinacionin ku dëshironi të shkoni dhe vendin nga ku po niseni, dhe kjo faqe do t’ju njoftojë sa herë që ka një ofertë e cila lidhet me planet tuaja të udhëtimit.

Ndryshoni kohën tuaj të udhëtimit

Nëse nuk ju duhet me patjetër të shkoni dhe të ktheheni nga destinacioni në ditë të caktuara, atëherë mund t’i kurseni vetes disa para. Edhe pse nuk ka një rregull të përgjithshëm kur bëhet fjalë për ditën më të lirë për të udhëtuar, shumica e faqeve për kërkimin e fluturimeve mund t’ju ofrojnë një interval çmimesh, të ndara sipas ditëve të javës (dhe madje edhe sipas kohës së ditës), në mënyrë që ju të mund të zgjidhni opsionin më pak të shtrenjtë.

Google Flights është një nga mundësitë më gjithëpërfshirëse për kërkimin e fluturimeve. Në rezultatet e kërkimit, pasi të keni shkruar aeroportin fillestar dhe aeroportin e destinacionit, zgjidhni opsionin “Ҫdo datë” pranë “Gjurmo çmimet” – kështu, ju do të merrni përditësime me email sa herë që ulen çmimet për ndonjë datë brenda 3-6 muajve të ardhshëm.

Vizitoni një vend tjetër

Të qenët elastikë nuk është një luks që të gjithë ne e kemi, por është një nga mënyrat më të mira për të marrë oferta më të lira. Kjo vlen edhe për destinacionet, ashtu si për ditët e udhëtimit, dhe një mënyrë alternative (dhe ndoshta shumë më e lirë) për të menduar për pushimet tuaja të ardhshme është duke kërkuar sipas buxhetit, në vend të destinacionit ku po mendonit të shkonit.

Një faqe interneti shumë e përshtatshme për këtë është Kayak. Nëse klikoni butonin “Eksploro” në menunë e navigimit në të majtë, ju mund të shkruani aeroportin tuaj të nisjes dhe të shihni se si janë çmimet për destinacionet në të gjithë globin. Përdorni opsionin në të majtë për të vendosur buxhetin tuaj, më pas klikoni në ofertën që ju pëlqen më shumë për të blerë biletën. / Gizmodo