Ndryshimi i Ligjit për TRUST-in sot pritet të shqyrtohet në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Partitë opozitarë në Kosovë po insistojnë që sa më shpejt të procedohet në Kuvend Projektligji që mundëson lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional i Kursimeve TRUST.
Nën arsyetimin e gjendjes ekonomike në vend, opozita kërkon që nga TRUST-i të lejohet tërheqja e deri në 30 për qind të mjeteve nga ana e qytetarëve.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në fund të muajit prill të këtij viti, projektligji që ju mundëson qytetarëve tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga TRSUT-i u ishte shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro të tërheqin 25 për qind. Për ata që kanë nga 20 mijë euro të kenë të drejtën e tërheqjes 20 për qind.
Ndërsa kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë euro -15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro të kenë të drejtën e tërheqjes së 10 për qind të mjeteve.
Sipas propozuesit, ky Projektligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit t’u krijohet bazë ligjore për tërheqjen e vlerës prej dhjetë (10) deri tridhjetë (30) për qind (%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, si masë konkrete për mundësimin e përballimit më të lehtë të pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe inflacioni në ekonomi.
Mirëpo, tërheqjen e kursimeve prej 30% nga Trusti, po e kundërshton Qeveria aktuale e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, pas një muaji, më 21 prill ka bërë të ditur se nuk e përkrahë nismën legjislative të Kuvendit të Kosovës që ka të bëjë me tërheqjen e një sasie të caktuar të parave.
Ekzekutivi ka thënë se tërheqja e mjeteve nuk ndihmon kategoritë në nevojë pasi që përqindja e tyre në Fondin Pensional është e ulët.
“Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme. Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët”, ka njoftuar Qeveria.
Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Komisionit për buxhet kishte thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusti krijon shprehi që çdo vit të ketë edhe një tërheqje.
“Krijohet shprehia që çdo vit të ketë edhe një tërheqje derisa në fund përfundojmë me një fond që nuk ka ndonjë shumë substanciale. Çështja e dytë është se nuk është që ndihmon shumë prej familjeve që janë në nevojë, sepse ato familje nuk është që punojnë në sektorë të formatizuar apo ndoshta kanë kursime të mjaftueshme, marrë parasysh se të ardhurat e tyre janë të ulëta”, ka thënë Murati.
Qeveria e Kosovës më 12 prill mori vendim për ndarjen e një shume prej 100 eurosh, për të gjithë pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik e privat si dhe personave në skemë sociale si ndihmë.
Ndryshimi i Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, në mënyrë që të miratohet duhet të marrë së paku shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve, 61 vota.
Në vitin 2020 ishte lejuar tërheqja e 10 për qind të mjeteve nga Trusti.
Qeveria me kryeministër, Avdullah Hotin kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.
Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera.
Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti në programin qeverisës, në një nga masat e pakos së rimëkëmbjes ekonomike pas rënies ekonomike si pasojë e masave të ndërmarra për mospërhapjen e COVID-19, kishte paraparë tërheqjen e një përqindjeje të kursimeve pensionale./kallxo.com/