Dogana e Kosovës largon 9 zyrtarë nga puna

Dogana e Kosovës ka marr vendim për largim nga puna të nëntë zyrtarëve doganor, ndaj të cilëve është në vazhdim procesi gjyqësor penal.

Në njoftim thuhet se bazuar në hetimet e brendshme dhe procedurën e zhvilluar disiplinore, zyrtarët në fjalë fillimisht janë suspenduar, ndërsa pas zhvillimit të një procesi disiplinor dhe bazuar në provat e administruara është vendosur për shkëputje përfundimtare të marrëdhënies së punës.

“Provat e administruara janë të qarta për të dëshmuar se veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast janë të dënueshme dhe paraqesin shkelje të rëndë të Kodit të Mirësjelljes.

Reklama e sponzorizuar

Dogana e Kosovës është e përkushtuar në shërbim të interesit publik dhe të gjithë zyrtarët doganor duhet me përgjegjësinë më të lartë të përmbushin detyrat dhe misionin e Doganës së Kosovës, që i shërben mbrojtjes së qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se në kuadër të stafit të Doganës së Kosovës ka vlera shumë të larta profesionale dhe integritet, të cilat po bëjnë të mundur që me efikasitet të dalluar të luftohen dukuritë që dëmtojnë besimin dhe efikasitetin e organizatës, andaj kërkojmë nga publiku që të bashkëpunojnë me Doganën e Kosovës duke siguruar informata dhe dëshmi që adresojnë kontrabandën dhe korrupsionin.

Dogana e Kosovës ka lansuar aplikacionin për pajisje të mençura e quajtur eDogana, zgjidhje kjo e cila  paraqet një platformë të sigurt dhe të avancuar të komunikimit. Dogana e Kosovës mirëpret bashkëpunimin me publikun për të mundësuar mbrojtjen e qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.