Kompania gjigande e udhëtimeve Tui ka deklaruar se pret që rezervimet për sezonin e verës “pothuajse të arrijnë” nivelet e 2019-ës këtë vit, por paralajmëroi se nuk do të ketë marrëveshje me çmime të ulëta “të minutës së fundit”.
Kompania tha se prenotimet ishin rritur në gjashtë javët e fundit, teksa njerëzit planifikonin pushimet verore pas lehtësimit të kufizimeve të udhëtimit nga Covid.
Megjithatë, kompania paralajmëroi se ndikimi i Covid dhe i luftës në Ukrainës në sjelljen e klientëve mbetet “i vështirë për t’u parashikuar”.
Drejtuesi i Tui paralajmëroi rritjen e çmimeve dhe kufizimin e ofertave për shkak të kostove të larta të karburantit.
“Praktikisht, nuk do të ketë asnjë ofertë të minutës së fundit me çmime të ulëta këtë verë,” tha Fritz Joussen.
Humbjet e Tui u përgjysmuan në 614.5 milion € në gjashtë muajt deri në mars, pasi ajo pati një rikuperim të fortë të kërkesës së klientëve.
Si rezultat i kësaj, kompania u tha aksionerëve të vet se mund të arrinte të dilte me fitim deri në fund të këtij vitit.
“Kërkesa e lartë për udhëtime dhe performanca shumë e mirë e biznesit konfirmojnë parashikimet tona,” tha z. Joussen.
“2022 do të jetë një vit i mirë financiar. Kapaciteti pothuajse do të arrijë nivelet e vitit 2019, përpara fillimit të koronës.”
Ai shtoi: “Pas dy vitesh krizë, presim që Tui do të arrijë të sigurojë përsëri fitime në vitin aktual financiar… Kjo është baza për një rritje të re”.
Tui tha për BBC se Greqia ishte destinacioni i saj më popullor aktualisht, e ndjekur nga Ishujt Kanarie dhe Balearik, dhe nga Turqia.
Në tre muajt e fundit, 1.9 milionë klientë zgjodhën të fluturojnë me Tui, një rritje me plot 1.7 milionë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur udhëtimet globale pësuan një rënie të ndjeshme për shkak të pandemisë.
Firma tha se rezervimet për pushimet verore ishin aktualisht sa 85% e atyre të vitit 2019.
Me reduktimin e kufizimeve të udhëtimit nga pandemia e Covid-19, kërkesa për pushime verore jashtë shtetit po bëhet gjithnjë e më e madhe.
Për Tuin, pushuesit në Mbretërinë e Bashkuar po udhëheqin kthimin në plazhe.
Operatori turistik thotë se njerëzit po shpenzojnë më shumë për pushimet verore, për shembull duke shkuar për periudha më të gjata për pushime dhe duke zgjedhur paketa më të zgjeruara turistike.
Megjithatë, ky optimizëm nuk është totalisht pa asnjë paqartësi. Tui, ashtu si bizneset e tjera të udhëtimeve, do të vëzhgojë mënyrën se si lufta në Ukrainë, inflacioni dhe çdo kufizim i udhëtimit në të ardhmen do të ndikojë në sjelljen e konsumatorëve.
Shumë aeroporte dhe disa linja ajrore patën një periudhë të ngarkuar gjatë Pashkëve. Disa prej këtyre kompanive thjesht nuk kishin staf të mjaftueshëm për të përballuar rritjen e papritur të kërkesës.
Kjo është një tjetër shenjë se shumë njerëz duan thjesht që të shkojnë për pushime dhe prandaj po bëjnë rezervimet e tyre.
Në fakt, njerëzit që përpiqen të rezervojnë pushimet e tyre verore apo hotelet në ҫastin e fundit, mund të kenë mundësi të kufizuara pasi të tjerët i kanë rezervuar ato shumë kohë më parë.
Heqja graduale e rregullave të testimit në Mbretërinë e Bashkuar në muajin shkurt ka rezultuar në rritje të kërkesës për fluturime dhe për pushime. Sidoqoftë, disa vende vazhdojnë të aplikojnë rregullat që udhëtarët duhet të izolohen dhe të testohen.
Të martën, Aeroporti Heathrow tha se kishte pasur një kërkesë të madhe gjatë muajit prill dhe parashikoi që numri i pasagjerëve do të rritet këtë verë.
Sidoqoftë, aeroporti më i madh i Mbretërisë së Bashkuar tha se kërkesa këtë vit do të arrijë vetëm 65% të nivelit të periudhës përpara fillimit të pandemisë, pasi çmimet e rritura i detyrojnë klientët që të ulin kërkesën e tyre.
Banka e Anglisë pret që inflacioni të kalojë shifrën 10% gjatë këtij viti, duke e vendosur Mbretërinë e Bashkuar në prag të recesionit.
“Lufta që vazhdon në Ukrainë, kostot e larta të karburantit, kufizimet e vazhdueshme të udhëtimeve për tregjet kryesore si Shtetet e Bashkuara dhe potenciali për një variant tjetër të Covid, të gjitha këto krijojnë pasiguri për të ardhmen,” tha aeroporti./ BBC