Komuna e Deçanit punësoi 116 punëtorë pa procedura ligjore

Komuna e Deçanit gjatë vitit 2021, ka punësuar 116 punonjës në pozita të rregullta, pa aplikuar asnjë procedurë të paraparë ligjore.

Prej këtyre 116 punonjësve, 72 prej tyre ishin punësuar në administratën komunale, 28 në shëndetësi si dhe 16 të tjerë në arsim.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj Auditues për Komunën e Deçanit për vitin 2021, ka sqaruar se kohëzgjatja dhe angazhimi i këtyre zyrtarëve ishte lidhur me mandatin e kryetarit pa bazë të qartë ligjore si dhe për një periudhë gjashtë mujore dhe vjetore.

Reklama e sponzorizuar

Siç theksohet në raportin e ZKA-së, angazhimet me vendime të kryetarit dhe sipas MShV-ve ishin bërë pa zhvilluar ndonjë procedurë të paraparë ligjore, ndonëse sipas zyrtarëve komunal angazhimi i stafit pa procedura ka ndodhur për shkak të pamundësisë së zhvillimit të procedurave të rekrutimit si dhe nevojave për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Sipas Auditorit, emërimi i zyrtarëve në pozita të rregullta për periudhë të caktuar dhe angazhimi me kontrata për një detyre specifike me afat më të gjatë sesa parashihet, si dhe këshilltarëve pa procedura,  është në kundërshtim më legjislacionin përkatës dhe njëherësh rritë rrezikun e angazhimit të stafit jo kompetent për pozita të caktuara.

ZKA i rekomandon kryetarit të komunës që të sigurohet se do të aplikohen procedura të prokurimit për angazhimin e stafit për Marrveshje të SHërbimeve të Veçanta, si dhe të sigurohet se kjo formë e angazhimit aplikohet vetëm për punë specifike dhe vetëm atëherë kur kërkesat janë të arsyeshme nga njësitë kërkuese.

Edhe, Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2018 neni 7, Ligji i punës 03/L-212 neni 10 paragrafi 6, thotë se “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se (120) ditë brenda një (1) viti, Ligji për Zyrtaret Publik Nr.06/L-114 neni 84 Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura”./Buletini Ekonomik/