Ndërmarrja publike “Posta e Kosovës” ka paguar gjithsej 315 mijë e 92 euro për një projekt që parashihte ndërtimin e 18 pikave shitëse postare, ndonëse të njëjtat nuk janë funksionalizuar asnjëherë.
Këtë gjetje e ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin auditues për vitin 2021 për Postën e Kosovës.
Në këtë raport theksohet se ndërmarrja nuk i kishte funksionalizuar anjëherë këto objekte edhe pse realizimi i punimeve kishte përfunduar, dhe të njëjtat ende vazhdojnë të mbahen si investime në vijim në regjistrat e Postës, përcjell Buletini Ekonomik.
Për realizimin e këtij projekti ku ishte i paraparë ndërtimi i 18 pikave shitëse, ish ndërmarrja Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) kishte nënshkruar kontratë me një operator ekonomik (OE) me datë 15.03.2010. Por, për mos pagesë të disa punëve shtesë të realizuara për ketë projekt, në vitin 2013 operatori ekonomik (OE) kishte parashtruar padi në gjykatë dhe me aktgjykimin e datës 19.05.2021 të Gjykatës së Apelit, i ishte aprovuar kërkesëpadia e tij, në bazë të së cilës ndërmarrja kishte kryer pagesën e mbetur për ketë projekt, duke shtuar vlerën e investimeve në vijim për 19,282 euro.
Për më tepër, sipas raportit të dërguar nga shefi i njësive mbështetëse mbi gjendjen aktuale të tyre, ZKA-ja konston se një pikë shitëse madje nuk ekziston fare, vlera e së cilës është 18 mijë e 576 euro, ndërsa pjesa tjetër e tyre janë shumë të dëmtuara ose pothuajse të shkatërruara.
Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, shkak i mos funksionalizimit të këtyre pikave shitëse ishin mangësitë në projektin fillestar, pozitat jo të përshtatshme të vend vendosjes së tyre, të cilat më shumë do të shkaktonin shpenzime se sa të hyra, si dhe kostot të larta shtesë për riparimet e dëmtimeve të tyre.
Por, mos funksionalizimi i projekteve të përfunduara si dhe mos trajtimi i tyre sipas kërkesave të SNK 36, sipas Auditorit, ka ndikuar në keqmenaxhim të investimeve dhe prezantimin jo të sakë të vlerës së pasurive në pasqyra financiare vjetore. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/