Lidershipi është edhe art, edhe shkencë. Megjithëse asgjë nuk i afrohet përmirësimit të aftësive tuaja të lidershipit në praktikë, ka disa teori thelbësore të lidershipit që çdo drejtues duhet t’i dijë.
Ka disa avantazhe nëse zgjidhni ta bazoni modelin tuaj të lidershipit në një nga teoritë ekzistuese, sipas Omer Usanmaz, CEO dhe bashkëthemelues i Qooper Mentoring & Learning Software, një kompani në fushën e teknologjisë që ndihmon kompanitë e tjera të menaxhojnë programe mentorimi dhe trajnimi.
Ju mund të mësoni nga përvojat e të tjerëve, në vend që të eksperimentoni. Ju krijoni një pamje më holistike të lidershipit, zbuloni stilin tuaj dhe arrini të kuptoni më mirë nevojat e ekipit tuaj.
“Duke qenë të hapur ndaj ideve të reja, drejtuesit mund të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të përmirësojnë sukseset”, thotë Unsanmaz. “Testimi i teorive të lidershipit mund t’ju ndihmojë të ndërtoni një ekip të fortë, sepse ai ju jep një ide të asaj që funksionon dhe të asaj që nuk funksionon.
Ai gjithashtu mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë stilin tuaj të lidershipit dhe mënyrën se si ai ndikon te njerëzit përreth jush. Duke provuar teori të ndryshme, ju mund të gjeni ato që funksionojnë më mirë për ekipin tuaj.”
Një punim kërkimor i titulluar “Kuptimi i teorive të lidershipit për ngritjen e kapaciteteve”, i cili u botua në Revistën Shkencore Indiane të Mjekësisë, eksploroi disa nga modelet më të spikatura të lidershipit dhe i grupoi ato në pesë kategori: të bazuara në tipare, idealet e sjelljes, të bazuara në situata / kontigjencë, funksionale dhe psikologjike të integruar.
Llojet kryesore të teorive të lidershipit
-
Teoria e bazuar në tipare
Teoritë e lidershipit të bazuara në tipare kanë të bëjnë me identifikimin e tipareve që i bëjnë liderët e caktuar që të kenë sukses. “Teoria bazohet në idenë se një lider duhet të zotërojë disa cilësi të caktuara, si për shembull inteligjenca, karizma dhe pasioni, për të qenë i suksesshëm,” thotë Unsanmaz. “Kjo teori mund t’i ndihmojë drejtuesit që të kuptojnë se cilat aftësi duhet të zhvillojnë për të pasur sukses.”
Që nga aftësitë e komunikimit e deri te të menduarit strategjik, përdorni këtë teori për të studiuar tiparet e liderëve të suksesshëm dhe për t’i kultivuar ato në veten tuaj. Bazohuni te tiparet ekzistuese të lidershipit që ju vijnë natyrshëm kur punoni me ekipin tuaj.
-
Teoria e bazuar tek idealet e sjelljes
Modelet e lidershipit të bazuara tek idealet e sjelljes fokusohen në sjelljet e liderëve të shquar, për të parashikuar suksesin. “Teoria bazohet në idenë se veprimet e një lideri flasin më shumë se fjalët, dhe se sjellja e një lideri mund të përdoret për të ndikuar dhe për të frymëzuar ndjekësit e tij,” shpjegon Unsanmaz.
Për ta vënë këtë në praktikë, synoni të bëheni më të vetëdijshëm për sjelljet tuaja dhe për mënyrën se si ato ndikojnë në ekipin tuaj dhe zgjidhni sjelljet që japin rezultatet më pozitive.
Për shembull, mund të kuptoni se kur shpenzoni pak kohë për t’i dhënë përshtypjet tuaja ekipit në lidhje me ecurinë e punës, performanca rritet. Ose, kur festoni fitoret e kompanisë tuaj, morali i punonjësve mund të përmirësohet.
-
Teoritë e bazuara në situata / kontigjencë
Teoritë e lidershipit të bazuara në situata / kontigjencë kanë të bëjnë me marrjen në konsideratë të kontekstit – liderët më të mirë “lexojnë” situatat dhe e përshtatin qasjen e tyre në përputhje me rrethanat.
“Në këtë teori, nuk ka një qasje të vetme për lidershipin; në vend të kësaj, një lider duhet të jetë i adaptueshëm dhe të përshtatë stilin e tij sipas situatave të ndryshme.
Mund të jetë e dobishme që liderët të mësojnë rreth kësaj teorie, sepse ajo mund t’i ndihmojë ata që të dinë kur dhe si të përshtatin stilin e tyre të lidershipit për të arritur efektivitet maksimal”, sipas Unsanmaz.
Shembuj të përdorimit të modeleve të lidershipit të bazuara në situata / kontigjencë përfshijnë përshtatjen e stilit tuaj të menaxhimit sipas individëve të ndryshëm të ekipit tuaj, ose pranimin e faktit se duhet të drejtoni me më shumë empati në një situatë krize.
-
Teoria funksionale
“Modelet funksionale të lidershipit fokusohen në atë që lideri duhet të bëjë. Ndryshe nga qasja e idealeve të sjelljes, kjo teori nuk sugjeron mënyra ideale të sjelljes dhe as nuk i përshtat sjelljet me rrethanat.
Në vend të kësaj, këto modele përqendrohen në fushat ku një lider duhet të jetë më efektiv,” shkruajnë studiuesit e “Kuptimit të teorive të lidershipit për ngritjen e kapaciteteve”.
Një shembull i dukshëm i kësaj teorie është modeli i Udhëheqjes së Përqendruar në Veprime (ose “Modeli i Tre Rrathëve”), i studiuar nga eksperti i lidershipit, John Adair.
Ky model zbërthen veprimet thelbësore që ju duhet të ndërmerrni si lider në tre fusha kryesore: detyra (çfarë bëni për të arritur një qëllim), ekipi (çfarë bëni për të inkurajuar punën efektive në skuadër) dhe individët (çfarë bëni për t’u kujdesur për nevojat unike të anëtarëve të ekipit).
-
Teoria psikologjike e integruar
Teoritë psikologjike të integruara të lidershipit përfshijnë një përzierje të të gjitha modeleve të listuara më sipër, por gjithashtu konsiderojnë psikologjinë e brendshme të një lideri si një nxitës kryesor të suksesit.
Modeli “Tre Nivelet e Lidershipit”, i formuluar nga James Scouller, eksploron këtë fushë të re të shkencës së lidershipit – këto tre nivele përfshijnë lidershipin publik, privat dhe personal.
Dy të parat kanë të bëjnë me mënyrën se si silleni me ekipin tuaj, në nivel grupi ose personal. E treta ka të bëjë me mënyrën se si silleni me veten.
Lidershipi personal lidhet me mjeshtërinë tuaj si lider. Gjëra të tilla si niveli juaj i inteligjencës emocionale dhe prezenca janë pjesë e lidershipit personal. / Hive