Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) gjatë vitit 2021, ka shpenzuar nga buxheti i saj gjithsej 100 mijë e 264 euro për 20 punonjës të strukturës së ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’, ndonëse të njëjtit nuk ishin lajmëruar as edhe një ditë të vetme në punë.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj të auditimit për MKRS-në për vitin 2021, ka konstauar se këta 20 pjestarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’ ishin caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit.
Por, sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë, këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në MKRS.
“Për 20 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’, MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për të konfirmuar vijueshmërinë në punë. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2021 për të punësuarit e lartë cekur ishin 100,264€”, thuhet në raportin e auditimit.
Auditori thekson se kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite në pothuajsë të gjitha ministritë, edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet e auditimit. Si rrjedhojë, ministritë ende nuk po arrijnë të ndërmarrin masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.
E pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, siupas vlerësimeve të ZKA-së, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit, si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mos integrim të këtij komunitetit në sistemin aktual. /Buletini Ekonomik/