Abdixhiku kërkon të reduktohet akciza në derivate dhe TVSH-ja në produkte bazike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumur Abdixhiku, i ka bërë thirrje Qeverisë që të reduktohet akciza në derivate dhe TVSH-ja në naftë dhe produkte bazike.

Këtë thirrje, kreu opozitar e ka bërë pas paralajmërimeve se në Kosovë brenda kësaj jave pritet të ketë sërish rritje të çmimit të derivateve.

“E kishim propozuar më 7 mars, plot tre muaj më parë, reduktimin e TVSH-së e të akcizës në naftë, për të njëjtat efekte që shihen në Gjermani sot. Ishim injoruar me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook.

Reklama e sponzorizuar

“E njëjtë është kjo krizë – natyrisht – por masat që kanë ndërmarrë e po ndërmarrin qeveritë evropiane janë të ndryshme. Asnjëra nga to nuk vështron për të mosvepruar si kjo e Kosovës. Për ta thënë të njëjtën gjë sërish tre muaj më pas: Të reduktohet akciza në derivate. Të reduktohet TVSH në naftë dhe produkte bazike”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës po vazhdon ta injorojë krizën e cila është e papërballueshme për qytetarët.

“Çmimet e naftës vazhdojnë të mbesin të larta, e si pasojë dhe të dhjetëra produkteve bazike në Kosovë”.

Abdixhiku ka përmendur vendimin e Qeverisë gjermane si shembull se si duhet vepruar për të ulur çmimet.

“Me qëllim të lehtësimit të përballueshmërisë për qytetarët më të pasur evropian, Qeveria gjermane nga 1 qershori i këtij viti ka reduktuar akcizën dhe barrën tatimore në naftë për 35 cent. Efektet e rënies së çmimeve u panë dy ditë më pas; dje dhe sot përkatësisht”, ka shtuar ai.