AKP dje grumbulloi 3 milionë e mbi 317 mijë euro nga shitja e aseteve të disa ndërmarrjeve shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka grumbulluar gjithsej 3 milionë e 317 mijë e 700 euro nga shitja e aseteve të valës me numër 55, asete këto kryesisht të ndërmarrjeve shoqërore.

Gjatë ceremonisë së hapjes së ofertave të shitjeve dje, AKP-ja përmes metodës së Likuidimit, ka shpallur fituesit e përkohshëm për disa prej aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, që ishin në dispozicion për shitje.

Reklama e sponzorizuar

Kështu, për 35 asete sa ishin në shitje, përmes kësaj shitjeje me likuidim, u pranuan gjthsej 135 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 3,317,710 milion euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve nga kjo valë e shitjes, është bërë para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm.

Gjithashtu është bërë edhe transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: WWW.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonies për të gjithë qytetarët e interesuar që s’kanë qenë të pranishëm në sallë.

Ceremonia e hapjes së ofertave ka filluar në orën 14:20 dhe është mbajtur në Sallën e Hotelit Grand Prishtina, ku edhe është bërë dorëzimi i ofertave nga ofertuesit nga ora 10:00 deri në ora 14:00.

Tutje, në një njoftim për media nga AKP-ja, është specifikuar edhe se “Agjencia Kosovare e Privatizimit, është themeluar nga Kuvendi I Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa”. /Buletini Ekonomik/