Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar sot se ka dorëzuar përkohësisht ndërmarrjen e re “Agrokosova Holding” tek ish blerësi, duke e respektuar kështu vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës pati vendosur për masë të përkohshme ndaj vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, deri në një vendim përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të kësaj ndërmarrje.
Sipas Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” Suharekë ishte vendosur masa e sigurisë, me ç’rast Agjencia Kosovare e Privatizimit obligohej që ndërmarrjen ta kthejë tek blerësi në gjendjen e mëparshme.
Në një komunikatë për media nga AKP sot, thuhet se “Edhe pse AKP më parë e ka bërë regjistrimin e të gjitha aseteve me komision pesë anëtarësh, me kërkesë të palës, për tri ditë me rradhë u bë regjistrim i sërishëm i të gjitha aseteve që kanë qenë te ndërmarrja e re “Agrokosova Holding dhe pas përfundimit të këtij procesi u bë pranim-dorëzimit i ndërmarrjes tek blerësi”.
Si pjesë e pranim dorëzimit, AKP thotë se ka dorëzuar Aktvendimin e Kolegjit të Apelit për vendosjen e masës së sigurisë, Raportin e verifikimit dhe regjistrimit të aseteve, Raportin e Doganës për regjistrim të mallit, dokumentet e ndërmarrjes, vulën dhe çertifikatën e regjistrimit të biznesit me dokumentet dhe informatat tjera përcjellëse.
AKP në njoftim thekson gjithashtu se presin nga Gjykata që në afat sa më të shpejtë, ta trajtoj padinë e palës ndaj AKP-së dhe të merret vendim meritor në interes të publikut dhe pronës shoqërore. /Buletini Ekonomik/