Askush nuk është imun ndaj inflacionit: Këto janë qytetet më të shtrenjta në botë për të pasurit

Shangai është renditur si vendi më i shtrenjtë në botë për të qenë i pasur, sipas një raporti të ri, i cili tregon se edhe njerëzit e pasur nuk janë imun ndaj presioneve të inflacionit mbi mallrat e tyre më të çmuara luksoze.

Megaqyteti kinez mori këtë titull për të dytin vit radhazi, pasi regjistroi rritje të mëdha çmimesh në 16 nga 20 artikuj luksoz, sipas Raportit Global të Pasurisë dhe të Stilit të Jetesës nga Julius Baer për vitin 2022.

Ai ishte një nga katër qytetet e rajonit të Azisë dhe të Paqësorit, duke përfshirë Taipein (i renditur i 3-ti), Hong Kongun (i 4-ti) dhe Singapori (i 5-ti), duke përmbyllur kështu renditjen e pesë vendeve më të shtrenjta për individët më të pasur të botës.

Reklama e sponzorizuar

Londra (e 2-ta) ishte i vetmi qytet europian që u rendit në pesëshen e parë. Kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar u ngjit me gjashtë vende këtë vit, pas rritjes së çmimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të hotelerisë.

Për krahasim, asnjë qytet në Amerikë nuk u rendit në 10 qytetet më të shtrenjta në botë. Në të vërtetë, ato rezultuan si “relativisht të lira” për të pasurit, sipas autorëve të raportit.

Qytetet më të shtrenjta për të pasurit, 2022

Renditja vjetore e bankës private zvicerane Julius Baer bazohet te çmimet e një shporte mallrash luksoze, të cilat përfaqësojnë blerjet e individëve që kanë 1 milion dollarë ose më shumë në formën e aseteve të investueshme (të njohur si “HNWI”), në 25 qytetet globale.

Raporti zbuloi se efektet e zgjatura të pandemisë së koronavirusit, bashkë me kushtet sfiduese makroekonomike dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, sollën rritje të çmimeve për pjesën më të madhe të 20 artikujve të marrë në studim.

Inflacioni për të gjithë këto artikuj u rrit me 7.5% gjatë vitit, krahasuar me vetëm 1% një vit më parë.

Të dhënat u mblodhën në periudhën midis nëntorit 2021 dhe prillit 2022, duke kapur disa, por jo të gjithë faktorët ekonomikë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

“Askush nuk është imun ndaj inflacionit”

Tre të katërtat (75%) e mallrave të luksit dhe pothuajse dy të tretat (63%) e shërbimeve luksoze u bënë më të shtrenjta gjatë vitit të fundit, sipas raportit. Kjo erdhi si pasojë e faktit që shërbimet ishin disi më të kufizuara gjatë përfundimit të izolimeve, duke vonuar rritjen e kërkesës.

Paketat e teknologjisë – të cilat përfshijnë një iPhone, iPad dhe MacBook – dhe avokatët shënuan rritjet më të mëdha të çmimeve globale gjatë vitit, përkatësisht me 41% dhe 32.6%. Autorët e raportit thanë se kjo ishte rezultat i rritjes së kërkesës, i kufizimeve në zinxhirët e furnizimit dhe i një “kërkimi të vazhdueshëm për talente të cilësisë së lartë” për shërbimet profesionale.

“Askush nuk është imun ndaj inflacionit,” tha Alan Hooks, kreu i klientëve privatë në Julius Baer, ​​në një event për të shënuar prezantimin e këtij raporti të mërkurën. Ai shtoi, se pavarësisht kësaj, HNWI-të kanë më shumë mundësi “për të absorbuar presionet e inflacionit” krahasuar me shumicën e njerëzve.

“Është e qartë se kjo përfaqëson atë që ne po shohim në ekonominë e gjerë,” shtoi Dawn Li Wan Po, drejtor ekzekutiv dhe menaxher i portofolit në Julius Baer.

Inflacioni ka qenë në një trajektore të vazhdueshme rritëse gjatë muajve të fundit, duke shtuar koston e mallrave dhe të shërbimeve dhe duke shkaktuar një krizë të kostos së jetesës për shoqërinë.

Nga ana tjetër, raporti zbuloi se ҫmimet e verës dhe të sigurimit shëndetësor shënuan rënien më të madhe gjatë këtij viti, duke rënë përkatësisht me 26.1% dhe 24.4%. Autorët e raportit thanë se kostot e reduktuara të sigurimeve shëndetësore ishin rezultat i ribalancimit të çmimeve, pas niveleve të larta që ato arritën gjatë pandemisë.

Megjithatë, çmimet jashtëzakonisht të larta të pasurive të paluajtshme luksoze dhe të makinave – të cilat përbëjnë një peshë më të madhe në indeksin e raportit – ishin faktorët kryesorë që e renditën Shangain në vend të parë, duke u rritur përkatësisht me 28% dhe 11%.

Për vendin e dytë, Londrën, ishin sërish çmimet e pasurive të paluajtshme, të cilat u përllogaritën si 103% mbi mesataren globale, dhe dhomat e hoteleve (162% mbi mesataren), të cilat sollën rritjen e shpejtë të këtij qyteti në renditje, nga vendi i tetë ku ndodhej në vitin 2021.

Ndërkohë, Tokio pati rënien më të madhe të çmimeve gjatë vitit, duke rënë nga qyteti i dytë më i shtrenjtë në të tetin, kryesisht për shkak të zhvlerësimit të monedhës kombëtare, jenit japonez.

Për herë të parë këtë vit, raporti përfshiu gjithashtu edhe një studim për stilin e jetesës, ku të pasurit e botës u pyetën për zakonet e tyre të konsumit, të shpenzimeve dhe të investimeve.

Ky studim zbuloi se njerëzit e pasur në rajonin e Azisë dhe të Paqësorit ishin më optimistë për biznesin dhe për kushtet e tyre financiare, krahasuar me njerëzit nga rajonet e tjera.

HNWI-të në Europë thanë se synojnë të shpenzojnë më shumë këtë vit për aktivitete argëtuese, ndërsa ata në Lindjen e Mesme, në Azi-Paqësor dhe në Amerikë thanë se do të shpenzojnë më shumë për sigurimet shëndetësore./CNBC/