ATK me vendim të ri: Nga balanca kreditore në TVSH, do të mbulohen borxhet e tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar tatimpaguesit për vendimin më të ri, që do të fillojë ta zbatojë që nga data 21 qershor të këtij viti. Sipas këtij vendimi, nga balanca kreditore e TVSH, tash e tutje do të mbulohen borxhet e tatimpaguesit që janë aktive në ATK.

“Administrata Tatimore e Kosovës, njofton të gjithë tatimpaguesit se duke filluar nga data 21 qershor 2022 do të inicioj procedurat e verifikimit të kreditimit në TVSH për të gjithë tatimpaguesit të cilët janë në balancë kreditore të TVSH dhe në anën tjetër kanë borxhe të papaguara në ATK”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Pra, ATK do të fillojë të iniciojë procedurat e verifikimit të kreditimit në TVSH dhe me kreditimin e vlefshëm të TVSH-së do të mbulojë borxhet e papaguara të tatimpaguesit, i cili është në balancë kreditore të TVSH dhe në anën tjetër ka borxhe në ATK.

Reklama e sponzorizuar

Nga ATK-ja thonë se pasi të konstatohet saktësia e balancës kreditore në deklaratën e TVSH-së, me mjetet e tilla do të mbulohen borxhet tatimore të tatimpaguesit dhe pjesa e mbetur (nëse mbetet) do të rimbursohet në llogarinë bankare të tatimpaguesit, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas tyre, bazuar në nenin 30 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe nenin 41 të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2010, Administrata Tatimore e Kosovës ka të drejtë që të iniciojë procedurën e rimbursimit të TVSH-së për tatimpaguesit të cilët janë në balancë kreditore mbi tre muaj radhazi dhe shuma e kreditimit është mbi tremijë euro (3,000€) dhe i njëjti tatimpagues ka borxhe tatimore prej më shumë se pesëmijë euro (5,000€).

ATK-ja tregoi gjithashtu se pas zbatimit të procedurës së lartshënuar, tatimpaguesi do të njoftohet edhe në formë zyrtare lidhur me bartjen e balancës kreditore në borxhet tatimore, cilat lloje të tatimeve/kontributeve janë mbuluar, periudhën tatimore, si dhe për pjesën e rimbursimit eventual që do të transferohet në llogari bankare të tatimpaguesit. /Buletini Ekonomik/