Bursat europiane u rikthehen humbjeve

Tregjet europiane janë hapur në rënie në sesionin e sotëm, për shkak të zbehjes së optimizmit të investitorëve në rang global.

Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rënie të lehtë me 0.3%, ndërsa edhe në rajonin e Azi-Paqësorit bursat kanë pasur një performancë mikse.

Investitorët janë të shqetësuar për ngadalësimin e ekonomisë globale, që mund të bjerë edhe në recesion, për shkak të inflacionit të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Tregjet po presin të dhënat që do të publikohen më vonë gjatë ditës së sotme, duke përfshirë besimin konsumator për qershorit në SHBA dhe shitjen e shtëpive për prillin. Ndërkohë, samiti i shtatë ekonomive më të industrializuara të botës përfundon sot.

Liderët e G7-ës kanë rikonfirmuar mbështetjen për Ukrainën, duke thënë se do ta mbështesin vendin për sa kohë të nevojitet. E ndërkohë që samiti i G7-ës përfundon, në Spanjë po sot fillon samiti i NATO-s, ku lufta në Ukrainë do të kryesojë axhendën.

Në vigjilje të samitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se aleanca do të rrisë në 300 mijë numrin e forcave në gatishmëri, nga 40 mijë që ishin më parë.