Çka parasheh marrëveshja energjetike mes Kosovës dhe Serbisë?

Fotografi ilustruese

Kosova dhe Serbia sot kanë bërë hapin e parë drejt marrëveshjes energjetike mes të dyja vendeve, për faturimin e rrymës në komunat veriore të Kosovës.

Të dyja vendet sot kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, që ishte nënshkruar nga palët që në shtator të vitit 2013, por që nuk kishte gjetur zbatim deri më tani.

Sipas Marrëveshjes në fjalë, nga tani e tutje Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), do t’i lëshojë licencë operuese kompanisë serbe për energjetikë “Elektroserver-it”, për të faturuar qytetarët në komunat veriore të Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Këtë lajm sot e ka konfirmuar përmes Tëitter-it, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Kujtojmë këtu se qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, që me etni janë kryesisht popullsi serbe, nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se 20 vjet.

Por, çka parasheh kjo marrëveshje më detajisht?

Përveç që ZRRE-ja do t’ia lëshojë licencën Elektroserverit për operim në veri, në marrëveshje parashihet që brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it edhe të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.

Kurse, brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja për Detyrimi i Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshja e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Ndërkohë, brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-it, Elektrosever do të marrë Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC), për të kryer aktivitetet e parapara me licencën e furnizimit.

Brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT po ashtu do të kenë qasje në nënstacionin Valaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe shpërndarjes në këto pjesë veriore të vendit.

Tutje, benda 45 ditëve nga lëshimi i licencës, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektrosever, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

Ndërkaq, në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që të konsultohet paraprakisht ndërmjet palëve, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

Kurti: Lajm i mirë, vendit i është shkaktuar dëm i madh nga mosinkasimi

Pas konfirmimit të arritjes së marrëveshjes mes të dyja palëve, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ky është një lajm shumë i mirë, pasi që vendit i është shkaktuar dëm i madh nga mosinkasimi i borxhit në komunat veriore.

“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Ibër”, është shprehur Kurti.

Pas Kurtit, ka reaguar edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili përmes një postimi në Tëitter, ka thënë se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.

“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

Ambasada gjermane dhe franceze: Lajm shumë i mirë, nevojitet zbatim sa më i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes

Gjithashtu, reagime ka pasur edhe nga ambasadat e huaja që veprojnë në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, pas aaritjes së Marrëveshjes për Energjinë, është shprehur se ky është një lajm shumë i mirë dhe se nevojitet zbatim sa më i shpejtë.

“Vërtet një lajm shumë i mirë! Përgëzime për palët pjesëmarrëse dhe veçanërisht për Miroslav Lajcak për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të ofruar kompromis. Ajo që nevojitet tani është zbatimi i shpejtë siç parashikohet në udhërrëfyes”, ka theksuar Rohde.

Gjithashtu edhe Ambasada e Francës në Kosovë ka kërkuar një zbatim sa më të shpejtë e të plotë të marrëveshjes së arritur mes dy palëve, duke thënë se ky është një përparim konkret dhe domethënës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Franca mirëpret udhërrëfyesin e miratuar sot në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dokument ky që paraqet përparim konkret dhe domethënës në Dialog. Tani e tutje, duhet siguruar zbatimin e plotë të tij”, thuhet në reagimin e Ambasadës Franceze në Kosovë.

Përmbajtja e plotë e Marrëveshjes:

Me qëllim tejkalimin e krizës dhe problemeve në sektorin e energjetikës, duke marrë parasysh Marrëveshjet në lidhje me Energjinë e datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshja e Energjisë 2013”), dhe Konkluzionet e lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë 2013 të 25 gushtit 2015 (“Marrëveshja e Energjisë 2015”), palët kanë janë pajtuar për Udhërrëfyesin e mëposhtëm:

  1. ZRRE do t’i lëshojë licencën për furnizim Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë zbatueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
  2. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së.
  3. Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja për Detyrimi i Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshja e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.
  4. Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-it, Elektrosever do të marrë Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parapara me licencën e furnizimit.
  5. Në përputhje me Art. 14 të Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2015, brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në nënstacionin Valaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe shpërndarjes.
  6. Brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektrosever, do të dorëzojnë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.
  7. Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit dhe shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE do të aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.
  8. Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që të konsultohet paraprakisht ndërmjet palëve. lehtësuar nga BE-ja, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion ekspert, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët.
  9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015. /Buletini Ekonomik/