Çmimet në Kosovë jashtë kontrollit, rrezikohet paqja sociale

Fotografi ilustruese

Në këto rrethana, kur politika e ecurisë së çmimeve është totalisht jashtë kontrollit institucional, gjithnjë në këtë “garë ngritjeje çmimesh” po dalin fitues tregtarët matrapazë, ata të pandershmit, që mezi presin të agojë dita e re për të bërë manipulime të reja të egra me çmimet, edhe ashtu enorme dhe më të lartat në rajon dhe përtej. Manipulime me ulje çmimesh. Nga ngritja e pandalshme e çmimeve në Kosovë, në muajin maj inflacioni ka arritur në 12.5%.

Mehmet GJATA

Nuk ka ditë që nuk ka ngritje çmimesh në Kosovë. Që nga fundi i vitit 2021, dhe fillimi i këtij viti, sidomos çmimet e produkteve bazë ushqimore, e veçmas të atyre të shportës, nga muaji në muaj, javë pas jave dhe nga dita në ditë, kanë shënuar çmime atipike të “fryra” – të ngritura tej mase, dhe, gjithsesi, ndër më të lartat karshi fqinjve me potencë më të shquar ekonomike se në vendin tonë.

Reklama e sponzorizuar

Fitohet përshtypja se në ngritjen e çmimeve nga tregtarët kosovarë sikur ka ngarendje dhe garë se kush më shumë dhe kush më vrullshëm do t’i ngritë ato. Dhe, po del, që në këto rrethana, kur politika e ecurisë së çmimeve është totalisht jashtë kontrollit institucional, gjithnjë në këtë garë çmimesh po dalin fitues tregtarët matrapazë, ata të pandershmit, që mezi presin të agojë dita e re për të bërë manipulime të reja të egra me çmimet, edhe ashtu enorme dhe më të lartat në rajon dhe përtej.

Tashmë në mediet kosovare nuk është e lehtë të trajtosh valët e pandalshme të çmimeve të ngritura pa asnjë kriter dhe pa asnjë logjikë ekonomike e tregtare. Ngritje të egra dhe të vrazhdta çmimesh nga tregtarët manipulantë ka përditë, ndërkohë që mediet nga droja se po bëhen monoton për lexuesit duke trajtuar shpesh dhe shumë ecurinë e ngritjes së çmimeve dhe pasojat nga kjo në zhvillimet sociale të Kosovës së varfër, kushtimisht po ngurojnë të trajtojnë këtë dukuri, që ka gjasë, në përmasa kaq evidente, është e pranishme më së shumti këtu, te ne. Dhe, nuk mund t’i fajësosh mediet se po neglizhojnë trajtimin e ngritjes së çmimeve, kur ato ndodhin përditë, dhe ndhodhë edhe dy herë në ditë, një herë në mëngjes dhe tjetrën herë në mbrëmje. Dhe nga kjo ecuri shpërthimesh të çmimeve të larta, sa çel e mbyllë sytë, informacionet për ngritje çmimesh bëhen të vjetëruara, të pavlera. Sepse, ende pa u bërë publike çmimet e ngritura pak çaste më herët, në marketet, supermarketet dhe shitoret e artikujve të shportës, dalin në sipërfaqe çmimet e reja të ngritura dhe me përqindje jo të vogël. Në këtë mënyrë, po zhvlerësohen edhe të dhënat statistikore të institucioneve kompetente për evidentimin e çmimeve, siç është ATK-ja, bie fjala.

Kështu, të dhanat statistikore të ATK-së për çmimet, që bëhen në baza mujore, nga muaji në muaj bëhen fare të pavlera, sepse praktikisht, çmimet e ngritura brenda ditës i bëjnë të papërdorëshme dhe të pavlera statistikat mujore të ecurisë së çmimeve. Tani, tregtarët kosovarë, thuaja të gjithë, nuk i ngrisin më çmimet me nga 50 e më shumë për qind deri në qind për qind, siç ndodhi në fund të vitit të kaluar dhe në fillimin e këtij viti, por i ngrisin për çdo ditë pra, mëngjes për mëngjes, e mbase edhe dy herë brenda ditës në përqindje më të vogla, por që brenda javës, pastaj, konsumatori i vëmendshëm veç kur e sheh çmimin e shumë produkteve, sidomos të atyre qenësore-ushqimore, të ngritur përgjysmë e më shumë.

Ecuria e ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, gjatë majit dhe dhjetë ditëshit të parë të qershorit, është sërish e vrullshme dhe në “rënie të lirë’. Praktikisht, ecuria e ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është bërë i pandalshëm, sado që duket suksesiv. Nuk ka ditë që konsumatorin kosovar nuk e pret befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona.

Nga ngritja e pandalshme e çmimeve në Kosovë, në muajin maj inflacioni ka arritur në 12.5%, ndërkohë që në fund të prillit ishte 11, 2 për qind. Nërsa, sipas të dhënave të “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin maj 2022, të bëra publiike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ATK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12,5 për qind në muajin maj 2022, krahasuar me muajin maj 2021. Kjo përqindje e lartë çmimesh të ngritura, shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit: buka dhe drithërat (27,0%), mishi (18,1%), qumështi, djathi dhe vezët (22,5%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (54,3%), perimet (8,8%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (17,0%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj.

Por, siç u tha më lartë, këto çmime tashmë janë të vjetëruara. Në markete, supermarkete dhe megamarkete thuaja të gjitha produktet ushqimore, pra ato të shportës, tregtohen me çmime të reja të ngritura.

Tani, tregtarët nga droja e rënies së qarkullimit në marketet e tyre, si pasojë e çmimeve enorme të larta dhe rënies së fuqisë blerëse të kosovarëve të varfër, kanë nisur një garë, më shumë reklamimi nëpër media, ku publikojnë dhe promovojnë ulje çmimesh, kryesisht të disa produkteve që konsumohen fare pak, ndër to edhe një, ose dy produkte esenciale, por që në fakt, produkti ushqimor i reklamuar me zbritje, në arkë, shitet me çmimin e pandryshuar fare.

Të shtunën, autori i këtyre rreshtave, në hyrje të supermarketit të SPAR-it, në lagjen Taslixhe të kryeqytetit, ka takuar një të moshuar që tërë mllef shpjegonte kalimtarët: Erdha të blejë sheqerin e paketuar një kilogramësh të reklamuar me zbitje 0,79 centësh deri më 16 qershor, mirëpo në arkë e pagova me një çmim prej 1,15 euro. Plaku prishtinas, i revoltuar kishte me vete edhe fletushkën e SPAR-it ku shihej sheqeri i reklamuar me zbritje. Kjo po ndodhë edhe në supermarketet e tjera, siç po ndodhë edhe një manipulim, po kështu ordiner i pronarëve të shumë marketeve e supermarketeve, jo vetëm në kryeqytet.

Në reklamimet në mediet sociale dhe në fletushkat e tyre reklamuese paralajmërohet një produkt që kërkohet më shumë nga konsumatorët, (vaj, oriz, sheqer etj), dhe realisht në shtande qitet një sasi, por fare e vogël, e cila shitet në çast, por tregtarët e mbajnë shtandin e zbrazur me çmimin gjoja të liruar të produktit.

Këto manipulime lehtësisht të zbulueshme duhet të jenë punë e inspektorëve përkatës, të cilët deri në detaje janë të njoftuar me këto mashtrime tregtarësh. Dhe, megjithë këtë lëvizje atipike ngritje çmimesh dhe të rasteve të mashtrimit oridiner të konsumatorëve, tash për tash vazhdon heshtja institucionale ndaj kësaj dukurie. Askush, ama asnjë institucion i vetëm nuk merret me këtë problem, që sot është bërë me rrjedhoja të ç’ekuilibrimit të paqes sociale, ndërsa nesër mund të rrezikojë realisht këtë paqe edhe ashtu të brishtë sociale në Kosovë.

Disa zëra kritik fare të rrallë, siç ishte ai i ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, i cili po këmbëngulë në domosdonë e uljes së TVSH-së nga 18 në 8 për qind për produktet e konsumit për njerëzit, kafshët, farërat, bimët dhe shumë mallra të tjera, meqë një gjë të tillë, sipas tij, e lejon edhe Ligji, pasi ka një kohë të gjatë që janë rritur çmimet, kanë rënë në vesh të shurdhër të zyrtarëve aktualë.

Hoti thotë se pika 3 e nenit 26 të Ligjit për TVSH-në, e lë të hapur mundësinë që ministri i Financave të nxjerrë një akt-nënligjor për zgjerimin e produkteve me normë të reduktuar të TVSH-së sipas shtojcës III, të këtij ligji. Hoti ka sqaruar se në shtojcën III të këtij ligji, gjenden mallrat e lartëpërmendura.

Sipas Hotit, neni 26 i Ligjit për TVSH, pika 2, përcakton listën e mallrave për të cilat paguhet normë e reduktuar e TVSH-së prej 8%, ku përfshihen: uji, energjia elektrike, drithërat dhe prodhimet e tyre, qumështi dhe produktet e tij, vezët, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, barnat dhe pajisjet mjekësore.

Ky ligj është miratuar në vitin 2015 nga Qeveria Mustafa, si pjesë e Pakos Fiskale 1. Ndërkaq, pika 3 e të njëjtit nen, specifikon se: ”Ministri i Financave mund të nxjerr akt nën-ligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar sipas Shtojcës III të këtij ligji”.

Shtojca III përmban listën e mallrave ushqimore për konsum të njeriut dhe të kafshëve, farërat, bimët, e shumë mallra të tjera, për të cilat mund të reduktohet TVSH-ja nga 18% në 8%. Është e pakuptueshme, sipas Hotit, përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet.

Një muaj më parë, pak a shumë edhe subjekti opozitar, anëtar i së cilës është Hoti, nëpërmjet një komunikate ka kërkuar pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë.

Ndërsa Emanuel Bajra, analist dhe ekspert financiar që punon e jeton në Londër, duke folur për problemin e naftës për medien kosovare, ishte shprehur se në fillim të prillit në bursat ndërkombëtare pati një rënie të çmimit të naftës, porse kjo nuk kishte ndodhur edhe në Kosovë.

“Pavarësisht se nga Qeveria u kërcënuan naftëtarët dhe u përcaktua marzha, duke u premtuar edhe ulja e akcizës, nuk pati ulje çmimesh. Rregullatori në Kosovë është shumë i dobët. Autoriteti i konkurrencës në Kosovë nuk është funksional dhe ajo po reflekton te çmimet”, kishte thënë ai.

Ai me këtë rast mendon se “një zgjidhje mund të jetë aleanca e Qeverisë më sektorin privat në mënyrë që të krijohen rezerva të naftës dhe gazit. Derisa zgjidhje tjetër mund të jetë edhe akciza. Por kjo duhet të bëhet me një marrëveshje mes shtetit dhe bizneseve private. Operatorët privat që merren me tregtinë e naftës në Kosovë nuk duhet të merren si armiq, por duhet të krijohet një balancë mes kërkesave dhe çmimit real në Kosovë”.

Ka edhe masa të tjera të propozuara tashmë nga ekspertët, por edhe nga përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, për frenimin e ngritjes fare pa kontroll të çmimeve, por deri tash të gjitha këto sugjerime, propozime dhe mendime, nuk janë përfillur nga autoritetet. Çmimet vazhdojnë të ngriten pa ndalë, pavarësisht pasojave që domosdo do të vijnë më pas. /Buletini Ekonomik/