Çmimi i ngritur i bukës në Gjilan për një të pestën e çmimit të deritashëm, dhe më shumë se 100 për qind që nga fundi i vitit që lamë pas, ose më konkretisht që para gjashtë muajsh, është egërsisht i ngritur, pa asnjë bazë e shkas dhe jashtë çdo ecurie paksa më normale në zhvillimin e politikës së çmimeve të bukës në Kosovë.
Mehmet GJATA
Një lajm i plasuar sot në shumicën e mediave në rrjetet sociale të Kosovës, që njofton për ngritjen e çmimit të bukës në Gjilan nga 50 në 60 centë, flet më shumë se për një ngritje çmimi, qoftë edhe të një produkti aq të konsumuar dhe aq të nevojshëm e esencial për kosovarët e varfër. Çmimi i ngritur i bukës në Gjilan për një të pestën e çmimit të deritashëm, edhe ashtu të stërngritur dhe më shumë se 100 për qind që nga fundi i vitit që lamë pas, ose më konkretisht që para gjashtë muajsh, është çmim egërsisht i ngritur, pa asnjë bazë e shkas dhe jashtë çdo ecurie paksa më normale në zhvillimin e politikës së çmimeve të bukës në Kosovë.
Sepse, nuk është bërë fare publike asnjë paralajmërim për ngritje eventuale të çmimit të miellit, as të grurit, edhe pse gjendemi në kohën e para korrjeve të drithrave të bardha edhe në Kosovë. Nuk është bërë publike as ndonjë informacion që ka mungesë gruri dhe mielli në vend. Përkundrazi, nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës kanë njoftuar se mullinjtë e Kosovës kanë rezerva të vlerësueshme të grurit, që do të mjaftonnin së paku edhe për disa muaj për të përmbushur nevojat me miell të konsumit të Kosovës. Prandaj, kjo ngritje e re e çmimit të bukës në Gjilan është e egër, jashtë normave dhe ligjeve të tregut, dhe s’do mend se është totalisht jashtë kontrollit institucional.
Është në një farë mënyre ngarendje matrapazësh për të krijuar kaos, anarki dhe mashtrime të reja në tregun e bukës në Kosovë, në tregun më të ndjeshëm dhe më potencialin për t’u ç’ekuilibruar paqja edhe ashtu e brishtë sociale në vend. Është tentativë për të ngadhnjyer kundrejt ligjit, kundër ecurive të zhvillimeve të ligjshme të çmimeve të tregtarëve matrapazë, atyre të të pandershmëve, që mezi presin të agojë dita e re për të bërë mashtrime të reja të egra me çmimet, edhe ashtu enorme dhe më të lartat në rajon dhe përtej. Dihet, që buka dhe gatesat e tjera nga mielli i grurit, por edhe i misrit, nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash janë ngritur mbi 80 për qind.
Një bukë që ka kushtuar 30-35 centë, tani tregtohet 50 centë, ndërsa nëse rritet edhe 10 centë siç është njoftuar të ketë ndodhur në furrat e Gjilanit, atëherë rritja e çmimit të bukës në Kosovë brenda 6 muajsh ka arritur në 100 për qind. Dhe kjo ngritje çmimesh, që nga fundi i vitit 2021, dhe fillimi i këtij viti, sidomos të çmimeve të produkteve bazë ushqimore, e veçmas të atyre të shportës, nga muaji në muaj, javë pas jave dhe nga dita në ditë kanë shënuar rekorde të turpshme ngritjeje çmimesh, karrshi fqinjve dhe shteteve përtej rajonit. Ngritje të egra dhe të vrashdëta çmimesh nga tregtarët manipulantë po ndodhin për ditë dhe para syve të institucioneve kompetente të shtetit, që kanë detyrë kontrollin e çmimeve mashtruese dhe frenimin e çmimeve egërsisht të ngritura.
Tani, siç po shihet, furrtarët kosovarë, me prirje mashtruesish, nuk i ngrisin më çmimet me nga 50 e më shumë për qind deri në qind për qind, siç ndodhi në fund të vitit të kaluar dhe në fillimin e këtij viti, por i ngrisin për çdo ditë pra, mëngjes për mëngjes, e mbase edhe dy herë brenda ditës në përçindje më të vogëla, por që brenda javës, pastaj, konsumatori i vëmendshëm veç kur e sheh çmimin e shumë produkteve, sidomos të atyre qenësore-ushqimore, të ngritur përgjysmë e më shumë. Ecuria e ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, e sidomos të bukës, gjatë majit dhe 20 ditëshit të qershorit është e egër dhe e jashtëligjshme dhe pa asnjë logjikë të ekonomisë së tregut, por edhe me pasoja evidente për përmbylljen e muajit për kosovarët shumicë të varfër.
Nga ngritja e pandalshme e çmimeve në Kosovë, në muajin maj inflacioni ka arritur në në 12.5%, ndërkohë që në fund të prillit ishte 11, 2 për qind. Sa do të arrijë inflacioni në këtë muaji mbetët të shihet në fund të qershorit.
Të gjitha sinjalet, e sidomos ngritja e çmimeve në këto përmasa flasin për shkallë të re ngritjeje. Nërsa, sipas të dhënave të “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin maj 2022, të bërë publiik nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ATK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12,5 për qind në muajin maj 2022 krahasuar me muajin maj 2021. Kjo përqindje e lartë çmimesh të ngritura shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit: buka dhe drithërat (27,0%), mishi (18,1%), qumështi, djathi dhe vezët (22,5%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (54,3%), perimet (8,8%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (17,0%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj.
Por, konsumatori kosovar duhet të ketë të ditur se këto përqindje që flasin për ngritje çmimesh nga institucionet tona kompetente, tashmë janë të vjetëruara. Në markete, supermarkete dhe megamarkete thuaja të gjitha produktet ushqimore, pra ato të shportës, tregtohen me çmime të reja të ngritura. Tani, nëse çmimi i bukës ngritet për një të pestën e çmimit të deritashëm edhe në qendrat e tjera të vendit, siç ndodhi në Gjilan, domosdo që vlejnë të tjera shifra të inflacionit. Qershori, do të shënojë rekorde të reja të tij.
Prandaj, është nevojë urgjente e kundërmasave institucionale. Mashtrimet lehtësisht të zbulueshme duhet të jenë punë e inspektorëve përkatës, të cilët deri në detaje janë të njoftuar me to, ndërsa ndonjë masë tjetër që është dëshmuar e efektshme në frenimin e ngritjes së shfrenuar të çmimeve të shtetet fqinje dhe më gjerë, pse mos të shqyrtohet nga qeveritarët tanë.
Më konkretisht Qeveria duhet të jetë shumë më proaktive në kontrollin e lëvizjeve atipike të çmimeve dhe të rasteve të mashtrimit oridiner të konsumatorëve. Heshtja institucionale ndaj kësaj dukurie dhe mospreokupimi i askujt, dhe i asnjë institucioni të vetëm ndaj këtij problemi, që fare lehtë mund ta trondis paqen sociale edhe ashtu të pasigurtë të vendit, është për t’u diskutuar.
Është e pakuptueshme, siç tha kohë më parë një politikanë nga subjektet opozitare poklitike, përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet, siç është e pakuptueshme mos dhënia e një përgjigjeje qeveritare ndaj kërkesës tashmë të ripërsëritur shumë herë të opozitës për një pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë.
Ka edhe masa të tjera të propozuara tashme nga ekspertët, por edhe nga përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, për frenimin e ngritjes fare pa kontroll të çmimeve, por deri tash të gjitha këto sugjerime, propozime dhe mendime, nuk janë përfillur nga autoritete. Çmimet vazhdojnë të ngriten pa ndalë dhe pavarësisht pasojave që domosdo vijnë më pas. Masat parandaluese të mundshme dhe të aplikueshme edhe në ekonominë e tregut, siç është tashmë kjo e jona, dhe siç po i aplikojnë shtetet njësojë të varfëra sikundër jemi ne dhe shtetet e rajonit e përtej, janë më se të nevojshme dhe më se të domosdoshme.
Madje, tani e këtu e sa më shpejtë. Të shihen përvojat e fqinjve dhe shteteve me gjendje pak a shumë identike me Kosovën, masat e tyre më të efektshme në parandalimin e kaosit të mëtejshëm të shkaktuar nga ngritja e pa ndalur e çmimeve, sidomos të produkteve bazike ushqimore, dhe të provohet, së paku, të aplikohen edhe në vendin tonë. Të shihet, fundja, efekti i këtyre masave. Vetëm të rrish duarkryq, të soditësh nga ‘nën hije’, siç po bëjnë departamentet kompetente të Ministrisë së Ekonomisë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Banka Qendrore e Kosovës, të Shoqatës së konsumatorëve është më së keqi. Është sikur të jesh pjesëmarrës dhe i përfshirë në ligësitë e tregtarëve tanë të pandërgjegjshëm, që duan të “peshkojnë në ujin e turbulltë”, dhe që duan të pasurohën brenda natës. Është përkrahje e ngritjës së çmimit të bukës nga 50 në 60 centë, siç njoftohet të ketë ndodhur nga furrëtarët e Gjilanit./ Buletini Ekonomik/