Dobësohet pozicioni i Telekomit në tregun e telekomunikimeve

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës nuk e ka shënuar asnjë progres gjatë vitit 2021, në kuptimin e rritjes së bazës së përdoruesve të shërbimeve të internetit.

Përkundrazi, ndërmarrja, sipas raporteve të ARKEP-it, aktualisht pozicionohet akoma më keq, karshi konkurrentëve tjerë në treg. Sidomos vërehet rënie e përdoruesve të shërbimeve të internetit, krahasuar me vitet paraprake.

Vetëm 6.55 për qind të tregut të shërbimeve të internetit e zotëron Telekomi, apo në vendin e pestë në listën, të cilës i prin IPKO me 28.21 për qind të tregut, 26.26 për qind Artmotion dhe Kujtesa me 17.53 për qind të tregut.

Reklama e sponzorizuar

Në periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjendja e Telekomit për shërbime të internetit ishte pak më e mirë, me një zotërim të tregut prej 7.27 për qind.

Kjo ndërmarrje nga viti i kaluar drejtohet nga një menaxhment i ri, të cilin e kryeson Burbuqe Hana, si kryeshefe ekzekutive.

Buletini Ekonomik është interesuar të dijë se cilat janë hapat që kanë ndërmarrë si menaxhment për ta përmirësuar këtë gjendje. Nga Zyra për Informim nuk kanë kthyer përgjigje, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. /Buletini Ekonomik/