Komuna e Vitisë ka subvencionuar dy herë me nga 2 mijë euro një OJQ pa shpallur fare as thirrje publike

Euro

Komuna e Vitisë gjatë vitit 2021, ka subvencionuar një Organizatë Jo Qeveritare (OJQ) dy herë në vlerë prej 2 mijë eurove, pa shpallur kurrfarë thirrjeje publike, por vetëm me vendim të kryetarit të kësaj komune.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kjo është në kundërshtim me Rregulloren Komunale për Subvencionet si dhe Rregulloren për Financimin Publik të OJQ-ve. Gjithsesi, edhe dhënia e subvencioneve për përfituesit e njëjtë më shumë se një herë, i privon përfituesit tjerë që të përfitojnë subvencione të paktën një herë brenda vitit.

Në bazë të raportit të auditimit për këtë komunë, rasti kishte ndodhur për shkak të mos zbatimit konsistent të kërkesave të rregulloreve në fjalë, pasiqë rregullorja Komunale e Subvencioneve, konkretisht nenet 6, 13 dhe 23 përcaktojnë se “personi fizik apo juridik mund të përfitojë subvencione nga Komuna vetëm një herë në vit dhe me rastin e subvencionimit duhet të lidhet marrëveshje e cila përcakton të drejtat dhe obligimet e Komunës dhe përfituesit, si dhe raportimin financiar dhe narrativ nga përfituesi.”

Reklama e sponzorizuar

Siç thuhet në raport, rregullorja për Financimin Publik të OJQ-ve përcakton se dispozitat e kësaj Rregulloreje zbatohen nga çdo Organizatë Buxhetore, me përjashtim të mbështetjes financiare të drejtpërdrejtë për OJQ-të, e cila nuk tejkalon shumën prej 500 euro për një OJQ.

Auditori tutje thekson se duke mos shpallur thirrje publike për subvencionime, anashkalohen parimet e konkurueshmërisë, trajtimit të barabartë, transparencës, llogaridhënies, dhe raportimit mbi shfrytëzimin e fondeve publike nga përfituesi i subvencionit, pasi që mungojnë Marrëveshjet midis komunës dhe përfituesit në lidhje me kushtet e shpenzimit të fondeve, dhe mënyrën e raportimit.

Auditori rekomandon që kryetari i komunës duhet të sigurohet që përfituesit të përfitojnë subvencione vetëm njëherë brenda vitit ashtu siç është përcaktuar me rregullore, ndonëse që për çdo subvencionim të OJQ-ve që kualifikohen për t’u trajtuar sipas Rregullores për Financimin Publik të OJQ-ve, të shpallet Thirrje Publike dhe të aplikohen kërkesat që rrjedhin nga e njëjta. /Buletini Ekonomik/