Kosinvest – Institucioni mikrofinanciar që aplikon kamatë deri në 41%

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, aplikojnë norma të larta të interesit për kreditë që ofrojnë. Nëpër çmimoret e këtyre institucioneve bankare, normat e interesit variojnë nga 23 për qind deri në 41 për qind.

“KosInvest” është njëri prej institucioneve mikrofinanciare në Kosovë, që aktualisht është edhe më i kushtueshmi në vend, pikërisht për shkak të normave shumë të larta të interesit që aplikon për klientët e vet, përcjell Buletini Ekonomik.

Nëse vendosni të merrni një kredi prej vetëm 100 deri në 1 mijë euro (si shuma më e vogël me afat pagese për një vit) në këtë institucion financiar, atëherë si normë efektive të interesit do të jeni të detyruar të paguani shumën prej 41 për qind, kurse si normë vjetore të interesit atë prej 31 për qind. Kjo lloj kredie në këtë institucion quhet kredi për konsum, që është njëra prej kredive që ka edhe normën më të lartë të interesit në këtë sektor.

Reklama e sponzorizuar

Edhe kreditë si ajo personale dhe ajo për renovim, në një shumë deri në 3 mijë eurove që mund të merren në këtë IMF, kanë një kamatë të interesit të lartë prej 37%, përkatësisht 36.96 për qind.

Kurse, tek kreditë si ajo për biznes, bujqësi, ku shumat maksimale të kredisë janë deri në 10 mijë euro, kamatat sillen nga 30 për qind deri në 34.65 për qind, varësisht nga afati optimal i kthimit të borxhit, që kalkulohet në dy cikle, në 36 dhe 60 muaj.

Buletini Ekonomik ka provuar të marrë një përgjigje nga ky institucion rreth asaj se ku i bazojnë këto norma të larta të interesit dhe parametrat që marrin parasysh si institucion me rastin e aplikimit të këtyre kamatave, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk është pranuar ndonjë përgjigje nga ana e tyre.

Në uebfaqen e tyre në internet, ata kanë cekur se këto norma të interesit në kredi i llogarisin në bazë të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, por as kjo e fundit nuk ka pranuar të kthejë përgjigje në interesimin e Buletinit Ekonomik se a marrin aprovim paraprak këto institucione në BQK për këto kamata të larta, dhe se a ka BQK-ja ndonjë mekanizëm që i mbikëqyrë vazhdimisht këto institucione. /Buletini Ekonomik/