Krasniqi: Në Kosovë rritja e çmimeve më e larta në rajon, duhet të lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti

Memli Krasniqi- Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij këmbëngul në tërheqjen e mjeteve nga Trusti, pasi konsiderojnë se është përgjigje e nevojshme karshi krizës së madhe ekonomike me të cilën po ballafaqohen qytetarët, tani pas pandemisë.

Ai në intervistën për RTK-në tha se rritja e çmimeve në Kosovë është më e larta në rajon.

“Kemi rritje të madhe të çmimeve. Ajo që u intereson qytetarëve tanë është se ata nuk mund të blejnë njësoj sikurse para disa muajsh. Përtej inflacionit zyrtar, rritja e çmimeve ka kaluar deri në 200 për qind”, u shpreh Krasniqi.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i PDK-së tha se ka rritje deri në 30 për qind të çmimeve të konsumit, e madje vetëm në tri vitet e fundit.

“ Qeveria nuk ka pasur kurajo të rrisë paga as në sektorin publik e as në atë privat. Tani duhet të gjendemi në situatë të tillë dhe në mungesë të iniciativës së Qeverisë, të bëjmë diçka”, deklaroi ai.

“Kjo është arsyeja se përse pas shumë diskutimeve kemi çuar përpara projektligjin për tërheqje të parave nga Trusti, varësisht nga shumat e kursimeve që qytetarët mund të kenë”.

Për këtë situatë të rëndë ekonomike, që sipas Krasniqit tani ekziston, përgjegjës është Qeveria.

“Qeveria nuk ka liruar tatimet mbi produktet bazë e masa të tjera, por ka vepruar ndryshe”.

I pyetur se si e sheh deklarimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar kundër tërheqjes nga Trusti, Krasniqi tha se sikur të dëgjohej FMN-ja, nuk do të kishte as autostrada sepse edhe në atë kohë, kur planifikoheshin të ndërtoheshin, ata ishin absolutisht kundër.

“ Por, u kemi shpjeguar në atë kohë për nevojën për ta transformuar Kosovën dhe për rritje të shkëmbimit të mallrave. Në Qeverinë Thaçi 2, FMN-ja  ka qenë absolutisht kundër rritjes së pagave. Pra, FMN në esencë është institucion që qëllim kryesor ka të qenit konservator në shpenzimin e parasë publike”, tha Krasniqi.