Që nga 1 janari i këtij viti e deri më 29 qershor, 2 mijë e 186 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.
Kështu ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës në një përgjigje për Infokus.
“Gjatë periudhës 01.01.2022 deri më 29.06.2022, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar 2186 persona”, thuhet në përgjigjen e MBP-së.
Heqja dorë nga shtetësia në shumicën e rasteve ndodhë për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia.
Ndërkaq, në vitin e kaluar prej janarit e deri në muajin nëntor nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar gjithsej 4 mijë e 594 persona.
Kështu pati njoftuar zyrtari për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, Behar Haziraj, i cili kishte thënë se 2 mijë 359 prej tyre ishin të gjinisë mashkullore, ndërsa 2 mijë e 235 ishin të gjinisë femërore.
“Gjatë periudhës janar – nëntor të vitit 2021, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar gjithsej 4 mijë e 594 persona. Prej tyre, meshkuj janë 2 mijë e 359, ndërsa 2 mijë e 235 janë femra. Këto janë të dhëna statistikore të përpunuara deri në muajin nëntor, ndërsa meqë muaji dhjetor nuk ka përfunduar ende, të dhënat për këtë muaj nuk i kemi”, pati thënë Haziraj asokohe.