Ministria e Financave pagoi mbi 465 mijë euro për pensione pas vdekjes së përfituesve

Ministria e Financave ka shpenzuar nga buxheti i saj mbi 465 mijë euro për të paguar pensionet mujore për disa përfitues, të cilët realisht kishin vdekur.

Nga krahasimi i regjistrave ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2021, nga kjo ministri janë realizuar gjithsej 3 mijë e 314 pagesa, në vlerë totale prej 465,121 eurove për pensione pas vdekjes së përfituesve.

Sipas raportit të auditimit nga ZKA për MFPT-në, pagesat pas vdekjes së përfituesve, kanë ndodhur si rezultat i ndërprerjes së lajmërimit të pensionistëve për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia, që nga muaji mars 2020, ku si rezultat, vdekjet e përfituesve nuk ishin regjistruar me kohë në Agjencinë e Regjistrimit Civil, dhe ministria nuk ishte e informuar për rastet.

Reklama e sponzorizuar

E përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave,  shkaktojnë pagesa të parregullta, duke dëmtuar kështu buxhetin e Ministrisë, sipas ZKA-së.

Përveç këtyre, gjatë vitit 2021, e njëjta ministri kishte realizuar pagesa edhe per disa persona të punësuar, të cilët në të njëjtën kohë ishin edhe përfitues të skemave sociale. Vlera e këtyre pagesa arrin në 405 mijë euro.

“Nga krahasimi i të dhënave të MFPT-së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së, kemi vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Vlera e gabimit financiar për vitin 2021 ishte 405,313€”, thuhet në raportin e ZKA-së. /Buletini Ekonomik/