Murati iu përgjigjet Krasniqit e Abdixhikut për heqjen e akcizës

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë argumentet e tij pse nuk duhet larguar akzica e naftës ashtu siç e kërkojnë liderët e opozitës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i kërkuan Qeverisë heqjen e akcizës së naftës për një periudhë të caktuar.

Por, ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk është dakord me këto kërkesa.

Reklama e sponzorizuar

Ai thotë se këto janë më shumë kërkesa populiste se realiste.

“Nuk besoj se ata nuk e dinë çfarë po kërkojnë. Këto që po kërkojnë këta nuk besoj se do të kenë efekt pozitiv në jetën e qytetarëve”, deklaroi Murati në RTV Dukagjini.

“Po të mos i njihja që kanë kryer diçka për ekonomi [Krasniqi e Abdixhiku], do të thoja s’kanë lidhje me ekonomi. Nuk vyen shumë shkollë në ekonomi për të ditur që është paradoks të kërkosh uljen e taksave dhe të hyrave të shtetit, e në anën tjetër të kërkosh rritjen e shpenzimeve. Çdo familjar e kupton se të ulësh rrogën dhe të rrisësh shpenzimet është bankrotim. Këtë po e kërkojnë këta”.

Ai thotë se nëse do të hiqej akciza do të ndihmoheshin më shumë të pasurit derisa do të dëmtohej buxheti i shtetit.

“Me heqjen e akcizës do të ndihmoheshin më shumë ata që kanë pare dhe që kanë rrogat më të mëdha. Dikush që ka rrogën një mijë euro paguan shumë më tepër TVSH se dikush që e ka rrogën 200 euro. Çfarë bën shteti tash. Nga dikush që ka rrogën një mijë euro merr 200 euro tatime, derisa nga dikush që ka rrogën 200 euro merr 10 apo ndoshta 20 euro tatime. Pra shteti merr 220 prej dyve. Këtij të varfrit ia merr 20 por ja kthen 220. Pra shteti merr më shumë prej të pasurit dhe i rishpërndan te ata që kanë më shumë nevojë”.

“Çka po kërkojnë liderët e opozitës. Ata thonë të përgjysmohen këto taksa. Shteti të varfrit të ia fal 10 euro, derisa përfitimi për të pasurin është 100 euro në muaj”.

Sipas tij, vitin e kaluar është ulur TVSH-ja për lokalet e gastronomisë por kjo nuk u reflektua me ulje të çmimeve.

“Asnjë lokal nuk i uli çmimet nga ulja e TVSH-së. Përkundrazi, kur u kthye TVSH-ja siç kishte qenë më herët, lokalet e gastronomisë bënë ngritje tjetër të çmimeve për të ruajtur marzhën e fitimeve”, ka deklaruar tutje Murati.