Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rekord historik, në 265 lekë për litër. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, duke kapërcyer edhe nivelet e fillimit të marsit, ku nafta u tregtua në 260 lekë.
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja* të tregtimit të karburanteve në vend, ku përveç rritjes së naftës, çmimet e shitjes me pakicë dhe shumicë të benzinës kanë pësuar një rënie të lehtë, ndërsa ka mbetur i pandryshuar çmimi i tregtimit të gazit.
Nga mbledhja e fundit, çmimi i shitjes me pakicë të naftës do të jetë 265 lekë për litër, nga 258 lekë që ishte nga data 8 qershor, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë 253 lekë/litër, nga 246 lekë n ga vendimi i mëparshëm.
Benzina do të tregtohet për 241 lekë litri nga 243 që ishte më parë. Çmimi i shitjes me shumicë të këtij nënprodukti shkon në 229 lekë litri nga 231 lekë.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, do të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.
*Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.