Nga viti 2023, një e treta e smartphone-ve me sistem Android do të jenë në rrezik

Në shtator të vitit të ardhshëm, thuajse një e treta e smartphone-ve me sistem operativ Android do të jenë në rrezik sigurie.

Këtë e thonë ekspertët e shoqërisë së sigurisë kibernetike Bitdefender, të cilët analizuan pajisjet që përdorin Bitdefender Mobile Security në Android për të kuptuar shpërndarjen e sistemit operativ në gjithë gamën dhe nivelin efektiv të sigurisë informatike.

Pajisjet që përdorin sistemin operativ Android përfaqësojnë rreth 70% të tregut botëror mobile, por kur versionet fillojnë të vjetrohen, me Google që nuk i suporton më, hakerat mund të përfitojnë për të thyer sigurinë.

Reklama e sponzorizuar

Sistemi më i vjetër Android, i cili mbështetet ende nga Google, është versioni 10, që do të arrijë fundin e ciklit të jetës në shtator 2022. Në këtë moment, 35% e pajisjeve me këtë software nuk do të përditësohen më.

“Kur përdoruesit zgjedhin një smartphone të ri, zakonisht marrin parasysh përmasat e ekranit, lehtësinë në përdorim, cilësinë e fotove e shumë karakteristika të tjera. Për fat të keq, kohëzgjatja e mbështetjes së sofware sa i përket sigurisë është rrallëherë një faktor vendimtar në zgjedhje”, – shpjegojnë ekspertët e Bitdefender.

“Nëse një prodhues ndërpret mbështetjen për një pajisje, përdoruesi është i lirë ta përdorë, por kur zbulohet një dobësi, kompania nuk do të zbatojë më ‘patch’, edhe pse telefoni kryen ende funksionet e tij, ai është i ekspozuar ndaj rreziqeve. Pajisjet e vjetruara janë ndër miqtë më të mirë të kriminelëve informatikë, veçanërisht ato që janë ende në përdorim.

Ne ende mund të gjejmë telefona me versione të Android të lançuar një dekadë më parë, një makth i vërtetë për ata që merren me sigurinë”.

ANSA