Një urë me vlerë 9 milionë euro do të shkurtojë distancën mes Vleipojës dhe Ulqinit 73 herë.
Projekti i cili do të finalizohet në muajin gusht, pritet të përfundojë brenda 18 muajve.
“Me projektin e urës se re do të kemi një distancë të shkurtuar midis 2 vendeve. Ura do jetë 310 m me 3 harqe, është e kategorisë C1, do përdoret për makinat, kalimtarët e biçikletat dhe do të ketë 2 korsi dhe pjesë të vendpushimeve, ura ka një lartësi që lejon kalimin nën të në rastin kur Lumi Bunë do të jetë i hapur për mjetet lundruese, jemi në fazën e përgatitjes. Brenda 2 muajve do të jetë gati projekti dhe më pas procesi i buxhetimit dhe i prokurimit do të kërkojë 6 muaj, deri në qershor 2023, dhe mund të përfundojë brenda 18 muaj, do kushtojë 9 milionë euro”, tha kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Projekti u prezantua gjatë takimit të kryeministrit Rama me homologun e tij malazez, Dritan Abazoviç në kuadër të samitit të Ballkanit të Hapur, të mbajtur në Ohër.
Abazoviç në fjalën e tij tha se ura do të krijojë lehtësi jo vetëm nëpërmjet dy vendeve, por edhe turistëve të huaj.
“Do e lehtësojë shumë qasjen e turistëve, kjo është mënyra se si do të zgjidhim trafikun pranë Shkodrës, duke qenë se një pjesë kamionëve do të kalojnë nga kjo urë, është shumë e thjeshtë dhe irracionale që nuk është bërë më parë se nuk është e vështirë për t’u bërë, do kemi efekte shumë pozitive në të dyja anët dhe ndërlidhshmëria e dy vendeve do jetë më e madhe, ura dëshmon që nuk jemi vetëm Ballkan i Hapur, por në një fazë të re se si i kuptojmë marrëdhëniet, se nuk do të përdoret vetëm nga Mali i Zi apo Shqipëria, por edhe nga të gjithë qytetarët që do vijnë te ne”, tha Abazoviç.