Paralajmërohet ngritja e çmimit të bukës – Qytetarët të pakënaqur, kërkojnë nga Qeveria t’i parandalojë

Pas rritjes së çmimit për karburante dhe të energjisë elektrike, pronarët e furrave në Prishtinë kanë paralajmëruar shtrenjtim të çmimit të bukës.

Ndonëse nuk deshën të flasin para kamerës, njëri nga pronarët e një furre në Prishtinë, e konfirmoi për Ekonomia Online se çmimi i bukës shumë shpejtë pritet të bëhet 60 cent, nga 50 cent sa është për momentin.

Një paralajmërim i tillë ka shqetësuar edhe qytetarët të cilët e shohin të papranueshëm rritjen e çmimit të bukës. Ata për Ekonomia Online, kanë kërkuar nga Qeveria që të reagojë e mos t’i lejojë rritje të çmimit të bukës.

Reklama e sponzorizuar

Xhevdet Visoka tha se shkaku i rrogave të vogla, rritja e çmimit është e papërballueshme për të.

“Mu ma merr mendja që është pak tepër nëse rritet buka. Për shkak të rrogave, për shkak të këtyre seneve tjera është e papërballueshme nëse bëhet kjo ngritje e çmimeve të bukës. Duhet me reagu qeveria edhe me parandalu këtë rritje”, tha ai.

E mllefosur me paralajmërimet për rritje të çmimit është shprehur Mirvete Berisha. Tha se buka është jetike për qytetarët dhe si e tillë nuk duhet të ngritet çmimi.

“Komenti im është që të mos ngritët se njerëzit janë lodhur, ushqimet, vaji të gjitha po shtrenjtohen nuk e di populli çka ka me bë. Normal, buka është në pyetje, nëse se kanë edhe bukën atëherë”, ka thënë ajo.

Zylfije Krasniqi, tha se rritja e çmimit mund të jetë i papërballueshëm për dikend, e për dikë po, teksa ka kërkuar të reagojë Qeveria.

“Shumë është, shumë është se nuk i ka 300 gram. Ajo thotë se dikush mund t’i përballoj këtë rritje e dikush jo. Përbesë dikush po e dikush hiç. Qeveria nuk duhet t’i lejojë këto gjëra, se dikush vuan”, tha ai.

Aktualisht në shumicën e furrave në Kosovë, çmimi i bukës është 40 cent, por ka edhe nga ato furra që tashmë çmimin e një 1 kg bukë e kanë rritur në 50 cent.