Përdorimi i qymyrit në Austri dhe Gjermani – Të dy vendet e përdorin gjithnjë e më shumë, ambientalistët protestojnë

Qymyri është rikthyer sërish në përdorim të gjerë kohët e fundit. Për shkak të reduktimit drastik të furnizimeve me gaz nga Rusia, qymyri në mënyrë të papritur është bërë shumë i kërkuar në Austri dhe Gjermani. Për të shmangur mungesën e energjisë, centrali i Melak, në jug të qytetit të Graz, në Austri, po përgatitet të prodhojë energji elektrike me qymyr.

Hera e fundit që ky burim energjie u përdor në central ishte në fund të marsit në vitin 2020. Ministria austriake e Ambientit në një deklaratë për mediat sqaroi se centrali po rinovohet në mënyrë që të funksionojë sërish me qymyr, në rast se do të krijohet situatë emergjente për shkak të ndërprerjes së furnizimeve. Por ajo shtoi se do të duhen disa muaj për përfundimin e tranzicionit dhe transformimit teknik.

Dhe ministria gjermane e ekonomisë synon që centralet elektrike të funksionojnë sërish me qymyr, të paktën përkohësisht. Një vendim i tillë ka shkaktuar zemërim tek ambientalistët në të dyja vendet duke paralajmëruar se do të rrafshohen fshatra të tërë për të bërë vend për centralet me qymyr. Ata akuzojnë qeveritë përkatëse se kanë braktisur objektivat për të ndaluar ngrohjen globale. Berlini pranoi se rikthimi në përdorim i qymyrit është diçka e hidhur por shumë e domosdoshme në këtë situatë emergjence.

Reklama e sponzorizuar

Ministria gjermane e ekonomisë deklaroi se aktualisht objektivi është mbushja e impianteve me gaz, në mënyrë që të jenë të përgatitur për dimrin dhe të reduktohet konsumi i përgjithshëm i energjisë./Scan Tv/