Posta e Kosovës regjistroi humbje financiare në vlerë të afër 2 milionë eurove gjatë vitit 2021

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Ndërmarrja publike “Posta e Kosovës”, gjatë vitit 2021, ka operuar me humbje financiare në vlerë të gjithsej 1 milionë e 929 mijë e 490 euro.

Por, Posta e Kosovës ka pasur humbje operacionale të vazhdueshme që nga viti 2012, sipas konstatimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Vlera totale e humbjeve të akumuluara të kësaj ndërmarrje, tashmë ka arritur në 22 milionë e 534 mijë e 762 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për ndërmarrjen e Postës së Kosovës për vitin 2021, ceken edhe obligimet tatimore që kjo ndërmarrje ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Në raport theksohet se sa i përket obligimeve tatimore lidhur me obligimet ndaj TVSH-së, vlera e borxhit të saj ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ishte 94 mijë e 841 euro.

Ndërkohë, në sistemin e kontabilitetit të kompanisë, vlera ishte e regjistruar në vlerën e 85 mijë e 267 eurove, me ç’rast shihet një diferencë prej 9 mijë e 574 euro.

Prej të hyrave të totale të ndërmarrjes, 40% e tyre janë nga klienti kryesor Telekomi sh.a, ku vlera e pa inkasuar e tyre në fund të vitit 2021, ishte 1 milionë e 399 mijë e 969 euro.

Auditori nxjerr konkludime se humbja e mundshme e këtij klienti dhe e një tregu të rëndësishëm, për të cilin ekzistojnë pasiguri materiale, mund të hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë për të realizuar të hyrat e mjaftueshme ndërmarrja dhe të kryejë detyrimet e saja në rrjedhën normale të biznesit.

Sipas ZKA-së, me datë 12.10.2021, Bordi i Drejtorëve kishte miratuar Raportin Strategjik të Vijimësisë Financiare, në të cilin parashihet që në rast të humbjes së klientit kryesor (Telekomi i Kosovës), hapësirat e njëjta të objekteve do të lëshohen me qira institucioneve tjera publike dhe bizneseve private me çmime të tregut.

Po ashtu, sipas këtij dokumenti parashihet edhe zëvendësimi i të hyrave të krijuara nga shitja e produkteve dhe shërbimeve tjera të klientit kryesor, përmes kontratave të mundshme me operator tjerë mobil të licencuar.

“Edhe pse ndërmarrja kishte hartuar këtë raport, shpalosjet e Menaxhmentit lidhur me hipotezën e vijimësisë nuk përshkruajnë në mënyrë të mjaftueshme ngjarjet apo kushtet kryesore që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e ndërmarrjes për të vazhduar biznesin edhe në të ardhmen“, thuhet në raportin e ZKA-së. /Buletini Ekonomik/