Produktet bankare në Kosovë me çmime stratosferike, bankat se prishin terezinë

Mehmet Gjata

Bankat komerciale në Kosovë duan të pasurohen edhe tani, në këto rrethana krizash, pa zgjedhur mjetet dhe pa “ferplejin” e domosdoshëm edhe në “lojërat” afariste dhe biznesore. Thjesht, me çdo kusht duan të fitojnë para shumë, duke mbajtur nivele të larta interesash mbi çdo parashikim dhe më të larta se kudo në ndonjë shtet të botës dhe duke ngritur çmimin e shërbimeve në stratosferë, përtej çdo parashikimi dhe krahasimi me të tjerët.

Mehmet GJATA

Bankat në Kosovë, ato komercialet pra, që vetëm një, ose dy prej tyre janë pak a shumë vendore, nuk ndiejnë për krizën globale, që ka bërë shtrat edhe në Kosovë, as për varfërinë e madhe të shumicës së kosovarëve, klientë permanentë të këtyre bankave, as për çmimet e këtoditëshme gjithnjë në ngritje enorme. Ato, krizë e pa krizë, duan thjeshtë të fitojnë shumë, të rrisin profitin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Por, të sqarohemi që në fillim të këtij teksti, bankat komerciale në Kosovë duan të pasurohen edhe tani, në këto rrethana krizash, pa zgjedhur mjetet dhe pa “ferplejin” e domosdoshëm edhe në “lojërat” afariste dhe biznesore. Thjesht, me çdo kusht duan të fitojnë para shumë, duke mbajtur nivele të larta interesash mbi çdo parashikim dhe më të larta se kudo në ndonjë shtet të botës dhe duke ngritur çmimin e shërbimeve në stratosferë, përtej çdo parashikimi dhe krahasimi me të tjerët.

Dhe për këto veprime nuk i japin askujt, asnjë llogari të vetme. As Bankës Qendrore të Kosovës, e cila sipas legjislacionit në fuqi tani e shumë vjet me herët, është “kupola” bankare e vendit, dhe si e tillë, do të duhej të monitorojë ngritjen e çmimeve të produkteve bankare kurdoherë dhe në të gjitha rastet kur atakohet dhe vëhet në vështirësi klientela bakare kosovare.

Banka Qendrore e Kosovës, BQK-ja famoze, sovrane vetëm kur bëhet fjalë për ta injoruar mbrojtjen e interesit të klientelës, dhe asnjëherë sovrane deri më tash kur është fjala te “mbyllja e syve” ndaj shkeljes së “ferplejit”, por në raste jo të rralla edhe të legjislacionit, të miratuar nga vet “kupola bankare”. Heshtja permanente e BQK-së ndaj ngritjes kaq të shpeshtë të çmimeve të shërbimeve bankare nga bankat komerciale dhe institucionet mikro-financiare të instaluar në vitet e pasluftës në Kosovë, deshëm s’deshtëm ne, e bënë të diskutueshme këtë “tolerancë” të BQK-së, veçmas të stafit udhëheqës të saj. Sepse, si është e mundur që fare pa paralajmërim thuaja në raste të shpeshta po ngriten çmimet e shërbimeve bankare nga bankat komerciale, mu para syve të BQK-së, që ka mision të vetëm monitorimin e punës dhe stabilitetit bankar të vendit.

Sado që një zëdhënës i BQK-së, këtyre ditëve tha për një medie kosovare se bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, bankat janë të obliguara të informojnë paraprakisht klientët lidhur me çdo ndryshim, përfshirë këtu edhe çështjen e shumës së mirëmbajtjes së llogarisë. Në asnjë rast të vetëm, deri më tani, sidomos gjatë mandatit të guvernatorit aktual, BQK-ja nuk ka qenë e prerë kundrejt ngritjeve të shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndërsa, as që bëhet fjalë për ndonjë rast të tërheqjes së ndonjë vije të kuqe karshi bankave komerciale kosovare për këto çmime rekorde, ose për t’ua anuluar ndonjëherë vendimet për çmimet e shërbimeve bankare.

Pra, Kosova, që nga paslufta e këtej është dëshmuar dhe po vazhdon të dëshmohet si një parajsë bankare në rajon dhe përtej për shkak të fitimeve enorme të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare dhe ngarendjes së këtyre bankave pas fitimeve me çdo kusht dhe pa pasur edhe pengesën më të vogël për të realizuar synimin zhvatës. Dhe për shkak të shërbimeve frikshëm të shtrenjta, dhe interesave akoma shumë të larta, bankat komerciale në vendin tonë, këto që janë (10-11 sosh), vjet kanë arkëtuar mbi 117 milionë euro neto fitim, ndërsa në muajtë janar-prill të këtij viti kanë realizuar diku te 40 milionëshi profitin neto. Këtë shumë, nuk ka dyshim do ta lakmonte edhe banka më prestigjiioze dhe më kredibile në akcilin shtet të botës.

Dhe me gjithë këto fakte, BQK-ja, si rregullatore e sistemit bankar të Kosovës dhe mbikëqyrse ligjore e funksionimit të bankave kosovare, cilado qofshin ato, ka heshtur dhe për ironi të fatit po vazhdon të heshtë, që përkthehet -po vazhdon të përkrahë ngarendjen e bankave të uritura për të shtuar pa sosur fitimet neto dhe dërgimin e këtij fitimi në shtetet prej nga e kanë origjinën, apo selinë shumica e bankave të Kosovës. Është njëkohësisht shqetësuese edhe komoditeti i institucionve të vendit, që kaq gjatë sodisin punën e diskutueshme të stafit të BQK-së, pa sugjeruar një masë të vetme për të parandaluar tendencën zhvatëse të përditshme të këtyre bankave karshi kosovarëve të varfër, që po varfërohen edhe më nga çmimet enorme bakare.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës “Ngrakesa me borxh e ekonomive familjrare në Kosovë”, 1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave. Sipas këtij raporti, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh – në rrezik për mbingarkesë janë 21.8 për qind të huamarrësve, pra qytetarëve, për shkak se kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 për qind të të hyrave mujore. Ndërkohë që në fazën kritike të ngarkesës me borxh (në këtë fazë, kreditë ua marrin qytetarëve 75 deri në 100 për qind të të hyrave mujore), po sipas këtij raporti të BQK-së, janë 3.8 për qind e qytetarëve, ndërsa rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore, përbëjnë 1.8 për qind të mostrës së huamarrësve. Dhe, sipas ekspertëve, borxhi i ekonomive familjare është duke u rritur çdo vit për shkak të interesit të lartë të bankave dhe inflacionit në vend.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e disa bankave komerciale që operojnë në Kosovë. Në përditësimin e para një muaji të çmimoreve të këtyre bankave, shihet se dy banka në Kosovë, më saktësisht, Raiffeisen Bank dhe NLB banka, kanë shtrenjtuar çmimin e shërbimit të tërheqjes së parave nga bankomatët (ATM). Sipas të dhënave të publikuara, Banka NLB për mirëmbajtjen e llogarisë mujore për klientë ndalë 2 euro, ndërsa tërheqjen nga sporteli deri në shumë 4.99 e aplikon pa provizion ndërsa për shifrat tjera ndalesa shkon deri në 3 euro. Banka Raiffeisen tarifën mujore për klientë e ka 1.5 euro, ndërsa tërheqjen në sportel 2,50 euro. Kjo bankë për tërheqje nga bankomati merr nga klienti 0.50 euro deri në 1000 euro për shumë të tërhequr, ndërsa për mbi 1000 euro përdor tarifën prej 1 euro. Hiç më mirë nuk qëndron as Banka Kombëtare Tregtare (BKT), e cila tarifën mujore e ka 2 euro si dhe tërheqjen nga sporteli. Ndërsa banka TEB tarifën mujore e ka 1.50 euro, kurse tarifën për E-banking 0.50. Mirëmbajtja vjetore nga kjo bankë është 20 euro. Banka Pro Credit mirëmbajtjen mujore të kartelës me debit të shtyrë e ka 5 euro, ndërsa tërheqjen prej bankomati të kësaj banke e ka 2 për qind të shumës. Banka ekonomike mirëmbajtjen e llogarisë mujore e ka 0.99 euro, ndërsa tërheqjen e shumës deri në 10 euro në bankomat e ka 0.20 euro ndërsa mbi këtë shumë 2.50euro. Kurse Banka për Biznes mirëmbajtjen e llogarisë e ka 0.99, ndërsa tërheqjen e shumës mbi 10 euro në sportel 1.50. Si dhe tërheqjen përmes ATM-së e ka 0.10 cent.

Të gjitha këto çmime të shërbimeve bankare, vetëm muaj më parë kanë qenë djeshëm me të ulëta. Pokështu, në Kosovë bankat komerciale vazhdojnë të mbajnë normat e interesit për kredi të të gjitha llojeve ekstremisht të larta, e në veçanti normat e larta të interesit i aplikojnë në kreditë familiare, të cilët për dallim nga të gjitha shtetet e rajonit dhe përtej sot e kësaj dite janë diku rreth 6,5 për qind. Pra, kryekëput, për shkak të çmimeve enorme të produkteve bankare, dhe fitimeve marramendëse mujore e vjetore të bankave komerciale të instaluara këtu, Kosova, që nga paslufta e këtej po vazhdon të dëshmohet si një “eldorado” bankare në rajon dhe përtej.

Siç u tha më lartë, bankave në Kosovë, në ngarendjen për profit dhe pa zgjedhur mjete, nuk ua prishë terezinë askush, as BQK-ja. Ka fakte që as tërheqje vërejtjeje nga kupola e sistemit bankar të Kosovës nuk iu bëhet ndonjëherë bankave kosovare që kanë gjetur parajsën këtu dhe vendin zyrtarisht tolerant për thuaja çdo veprim të tyre, qoftë në ngritjen e çmimeve të shërbimeve, qoftë në mbajtjen konstante të interesave të larta, më të lartat në rajon.

Madje, nga toleranca pafundësisht e skajshme e BQK-së ndaj insistimit të bankave për nivel enorm të interesave, por edhe të shërbimeve, jo në pak raste kanë pasuar kërkesa të reja të këtyre bankave për të ngritur sidomos çmimet e shërbimeve dhe për të tkurrur maksimalisht numrin e punonjësve. Natyrisht, këto objektiva çmimesh të ngritura përtej çdo logjike afariste, këto banka nuk do të kishin asnjë mundësi ta bënin të vetme, pra pa përkrahjen e ndonjë institucioni mbikëqyrës kosovar. Dhe kjo përkrahje në asnjë rast të vetëm dhe asnjëherë nuk mungoi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila lehtësisht dhe heshtazi vazhdon t’i pranojë kërkesat e bankave “të pangopshme’ për fitime dhe t’i miratojë pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendor, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente për pranimin e kërkesave të bankave komerciale.

Tashmë është fare irritues dhe qesëndiës arsyetimi nga bankat dhe nga BQK-ja për normat e larta të interesave, që në raste ngjasojnë me ato të fajdexhinjve, ose janë goxha të përafërta me to, se gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i gjithë kësaj “loje” jashtë normave të ‘ferpleit” të afarizmit bankar.

Kosova, në bazë të standardeve të matjes së riskut, është vendi më i sigurtë në rajon: në Kosovë në gishta i numëron rastet të ketë ndodhur ndonjë vjedhje, ose thyerje e ndonjë institucioni bankar. Ndërkohë, në këto periudha, anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kanë ndodhur X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, janë gjithsej 2.5 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare.

Shih për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në rrethana të tranzicionit dhe shumë pak vite pasluftës ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale. Prandaj, Kosova mbetet parajsë e bankarëve. Dhe me këtë parajsë bankat e instaluara këtu nuk po kënaqën dot, por ngarendin ditë e përditë, vrullshëm dhe egërsisht pas shansit të ofruar për fitime të reja më të shumta dhe gjithnjë të shpejta. Pa humbur kohë, shpesh dhe disa herë edhe brenda një viti ngritën çmimet e produkteve bankare, sidomos të shërbimeve, dhe megjithë presionin nga brenda dhe jashtë opinionit mbajtën nivelin enorm të interesave. Dhe kjo nuk u mjaftoi. Zunë të tkurrin filialet, mbyllën shumë prej tyre, për të krijuar radhë të pafundta para sporteleve të bankave komerciale. Për një shërbim më të voglin, tani kosovari i rëndomtë duhet pritur edhe me orë, për shkak të reduktimit të filialeve, sporteleve dhe punonjësve në këto banka. Dhe prapë nuk u ngopën me fitimet enorme. Dhe me gjithë këto fakte, BQK-ja, si rregullatore e sistemit bankar të Kosovës dhe mbikëqyrse ligjore e funksionimit të bankave kosovare, cilado qofshin ato, ka heshtur dhe për ironi të fatit po vazhdon të heshtë, që përkthehet -po vazhdon të përkrahë ngarendjen e bankave të uritura për të shtuar pa sosur fitimet neto dhe dërgimin e këtij fitimi në shtetet prej nga e kanë origjinën, apo selinë shumica e bankave të Kosovës./Bulteini Ekonomik