Pse shtimi i prodhimit nuk do ta parandalojë rritjen e çmimit të naftës?

Vendet që “varen” shumë prej karburanteve presin me padurim takimin e kësaj jave të kartelit të OPEC-ut, i cili do të vendos nëse do të nxjerrë më shumë naftë bruto në treg për të zbutur çmimet e rënduara.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, çmimi i naftës u rrit në nivelin më të lartë në 14 vjetët e fundit. Çmimet që nga ajo kohë janë ulur paksa ndërsa ato të naftës së papërpunuar, Brent qëndruan në rreth 113 dollarë për fuçi që nga e hëna, por vendet perëndimore kanë ushtruar presion ndaj shteteve të naftës që të vazhdojnë të shtojnë më shumë karburante në treg.

Të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje prodhuesve të naftës që të rrisin prodhimin në vëllime “të jashtëzakonshme”, raportoi agjencia e lajmeve afp.

Reklama e sponzorizuar

Por kur eksportuesit e naftës takohen të enjten për të vendosur nëse do të rritin prodhimin, ata do të duhet të marrin parasysh një recesion global që kërcënon të ulë kërkesën për naftën e tyre të papërpunuar dhe të pakësojë aftësinë e tyre për të kontrolluar çmimin e saj, raporton cnn.

Ndërsa bankat qendrore rritin normat e interesit për të kontrolluar inflacionin, një rënie ekonomike globale në 18 muajt e ardhshëm është bërë më së e mundshme, kanë paralajmëruar ekonomistët, transmeton Telegrafi.

Një recesion është një “rrezik gjithnjë e më i dukshëm” për ekonominë, shkruajnë analistët e Citigroup në një shënim autorial.

Ekspertët thonë se prodhuesit e naftës nuk mund të parandalojnë rritjen e çmimit duke pompuar më shumë. Dhe nëse ndodh një recesion, shtimi i më shumë fuçive rrezikon të rrëzojë çmimin e naftës së papërpunuar dhe të dëmtojë ekonomitë e tyre.

Të vetmet vende që janë në gjendje të pompojnë më shumë naftë, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë thënë se tregu i naftës është i balancuar dhe se nuk ka nevojë të prodhohet më shumë. Së bashku, ata kanë kapacitetin për të shtuar 2.5 milionë fuçi në ditë.

Yousef Alshammari, CEO dhe kreu i kërkimit të naftës në CMarkits në Londër, tha se prodhuesit e naftës e kuptojnë se ndikimi ekonomik i rritjes së normës së tarifave nuk duhet të ndihet ende nga tregu i naftës dhe ata po veprojnë në përputhje me rrethanat.

Vetëm OPEC nuk e ka aftësinë për të shmangur një recesion, tha Amena Bakr, shefe korrespondente e OPEC-ut në Energy Intelligence.

“Unë mendoj se një recesion nuk mund të anashkalohet… Gjendja e qetë e ekonomisë nuk mund të mbahet. Në një moment duhet të ketë një përplasje dhe rivendosje”, tha ajo.

Gjatë takimit të fundit më 2 qershor, OPEC-u tashmë ra dakord të rritë prodhimin me 648 mijë fuçi në ditë në muajin korrik dhe në muajin gusht, nga 432 mijë fuçi sa ishte rënë dakord më parë.

Ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden përgatitet për vizitën në Arabinë Saudite në mes të muajit korrik, ka pasur spekulime se Riadi mund të shtojë më shumë fuçi si një akt i vullnetit të mirë.

“Do të ishte një gjest i mirë” që do të ndihmonte në kontrollin e inflacionit në Shtetet e Bashkuara në një afat të shkurtër, tha Alshammari.

Por Arabia Saudite, prodhuesi me kapacitetin më të lirë, ka dhënë alarm për dobësim të aftësive për të nxjerrë më shumë naftë.

“Bota duhet të zgjohet me një realitet ekzistues”, u citua të ketë thënë ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman nga Bloomberg në muajin maj, “botës po i mbaron kapaciteti energjetik në të gjitha nivelet”.

Pasqyra reale

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Robert Malley pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani në Doha të hënën, deklaroi për CNN-in një burim diplomatik i informuar për vizitën. Negociatori iranian, Ali Bagheri Kani do të takohet me zyrtarët e Katarit të nesërmen, shtoi burimi.

Vizitat e nivelit të lartë vijnë pasi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell tha në një konferencë shtypi në Teheran të shtunën se ekipi i tij do të ndërmjetësonte bisedimet e mundshme të ardhshme indirekte midis SHBA-së dhe Iranit “në një vend të Gjirit”. Bisedimet do të fokusohen në “çështjet e pazgjidhura” që lidhen me zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Ndërsa mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se Katari do të jetë destinacioni për këto bisedime dypalëshe indirekte, Doha nuk ka konfirmuar se po i pret ato.

Fuqitë perëndimore kanë frikë se Irani po i afrohet më shumë aftësisë për të prodhuar një bombë bërthamore nëse vendos ta bëjë këtë, megjithëse Irani thotë se qëllimet e tij janë paqësore. Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili merr vendime gjatë bisedimeve bërthamore, i tha Borrellit se Irani do të zhvillojë më tej programin  bërthamor derisa Perëndimi të ndryshojë “sjelljen e paligjshme”.

Irani thotë se Arabia Saudite dëshiron të rifillojë bisedimet diplomatike me Teheranin

Arabia Saudite dëshiron të rifillojë bisedimet diplomatike me Teheranin, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh në një konferencë shtypi të hënën, një ditë pasi kryeministri irakian shprehu gatishmërinë për ringjalljen e bisedimeve midis rivalëve rajonalë. Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi ishte në Teheran të dielën, një ditë pasi vizitoi Arabinë Saudite.

Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë lidhjet në vitin 2016 pasi të dyja palët mbështesin aleatët e kundërt. Raundi i pestë i bisedimeve mes tyre u mbajt në muajin prill, pasi Irani i pezulloi negociatat në muajin mars.

Vizita e Kadhimit erdhi pas një ngërçi shumë mujor të bisedimeve indirekte midis Teheranit dhe Uashingtonit rreth paktit bërthamor të vitit 2015, i cili frenoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Kur Biden të vizitojë Riadin në mes të muajit korrik, bisedimet pritet të përfshijnë shqetësimet e sigurisë të vendeve të Gjirit për raketat balistike të Iranit.

Rreth gjirit

Një libër komik arab është bërë qendra e një polemike të re në shtetet arabe të Gjirit, ku shfrytëzuesit e rrjeteve sociale janë kundër normalizimit të homoseksualitetit tek fëmijët.

Revista “Majed” e botuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga revistat më të vjetra komike për fëmijët në rajonin e Gjirit, kishte një karakter me ngjyrë ylberi në numrin e saj të muajit maj.

Fushata vjen pasi shumë në rajon po angazhohen për bojkotimin e bizneseve të huaja që solidarizohen me “Muajin e Krenarisë”, i cili bie në muajin qershor.

Disa në mediat sociale madje shkuan aq larg sa “zbërthyen” mesazhet e fshehta në revistën komike. Në një pjesë, një personazh thotë, “unë kam aftësinë t’i ngjyros gjërat; Aliu tani do të dëshironte që ai të mund të ishte si unë”. Termi arab për “si unë” (mithli) ka të njëjtën drejtshkrim si termi për homoseksual (mithliyy), pa një shenjë diakritike.

Zyra Rregullatore e Medias në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kompania Mediatike e Abu Dhabi, botuesja e revistës, nuk iu përgjigjën kërkesës së CNN-it për koment.

Fushata vjen ndërsa vende si Arabia Saudite dhe Kuvajti godasin flamujt e ylberit gjatë Muajit të Krenarisë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kuvajtit publikoi një udhëzues se si të bëhet dallimi midis një ylberi krenarie dhe një ylberi konvencional dhe i bëri thirrje publikut të raportojë pamjet e flamurit të krenarisë.

Arabia Saudite, ndërkohë, ka goditur lodrat dhe veshjet me ngjyra ylberi.

Homoseksualiteti është i paligjshëm në shumicën e vendeve të Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe. Vendi ndaloi filmin e animuar të Disney, “Lightyear” në fillim të këtij muaji për shkak të “shkeljes së standardeve të përmbajtjes mediatike të vendit”.

Ndalimi vjen pasi dy aktorë të së njëjtës gjini puthen në film, megjithëse nuk është specifikuar arsyeja e ndalimit.