Pyetjet që duhet të bëni pas një interviste

Falë tyre mund të fitoni vendin e punës…

Përgatitja për një intervistë pune është e vështirë, dhe vetë ndërveprimi me intervistuesin mund t’ju bëjë të ndiheni nervoz.

Megjithëse mund të keni përgatitur disa pyetje për pjesën e fundit të intervistës, çfarë duhet të bëni nëse keni akoma akoma disa pyetje pasi intervista ka mbaruar?

Reklama e sponzorizuar

Sarah Vermunt, autore e librave Careergasm dhe Career Rookie, ofron disa këshilla dhe udhëzime shumë kuptimplota për këdo që kërkon të gjejë një vend të përshtatshëm pune në aspektin profesional.

Si një eksperte për ndryshimin e karrierës, ajo e di saktësisht se cilat janë pyetjet e duhura që duhet të bëni në kohën e duhur dhe me tonin e duhur gjatë procesit të intervistës.

Kur përfundon intervista, sa pyetje duhet të bëni?

Në fund të intervistës suaj, ka shumë gjasa që të pyeteni nga intervistuesi nëse keni ndonjë pyetje për ta. Dhe kjo është me të vërtetë mundësia më e mirë për të bërë pyetjet më të rëndësishme. Sarah rekomandon që të përgatiten pesë pyetje, sepse ka të ngjarë që disa prej tyre të marrin përgjigje gjatë intervistës.

Ajo shpjegon se “Nëse nuk keni ndonjë pyetje gati, kjo tregon se nuk e keni bërë siҫ duhet kërkimin tuaj për kompaninë.” Ju duhet të bëni një ose dy pyetje të mirëmenduara, për të treguar se jeni të përgatitur për këtë punë dhe jeni vërtet të interesuar.”

Ja disa shembuj pyetjesh që mund të bëni:

  • Cilët janë njerëzit me të cilët do të punoja më afër në këtë pozicion?
  • Çfarë aftësie do të më duhet të përdor më shumë në këtë rol?
  • Cila vazhdon të jetë sfida më e madhe e këtij pozicioni?

Si të bëni pyetje pasi të keni dalë nga dhoma e intervistës

Për disa njerëz, presioni për të performuar sa më mirë gjatë intervistës i bën ata që të ngatërrohen. Ata mund t’i kenë bërë pyetjet që kanë përgatitur, por mund të ketë pyetje të tjera që dalin pas intervistës. A do të ishte e përshtatshme që të ktheheshit përsëri dhe të vazhdonit duke pyetur intervistuesin tuaj?

Sarah thotë: “Po, por bëjeni me kujdes këtë gjë. Zgjidhini pyetjet tuaja me mençuri. Ju nuk duhet të lini përshtypjen se jeni të interesuar vetëm për paratë.”

Çelësi është që të zbusni çdo pyetje kritike që keni dhe të siguroheni që t’i bëni ato në një mënyrë që nuk do të ngrinte dyshime për ju si kandidat.

Sarah shpjegon se nuk duhet të bëni pyetje të tipit: “Sa shpesh ndërrohen punonjësit në këtë pozicion?” Në vend të kësaj, mund të pyesni “Sa kohë qëndrojnë njerëzit në këtë pozicion dhe ҫfarë drejtimi marrin ata zakonisht pasi rriten nga ky pozicion?”

Një pyetje tjetër që mund të bëni është “Si po i trajtoni vendimet për kthimin në punë? Kush konsultohet kur merren këto vendime? Si arritën në këto vendime?”

Sarah thotë, “Mënyra se si i përgjigjen ata këtyre pyetjeve ju bën të kuptoni nëse këshillohen me stafin përpara se të marrin një vendim, apo nëse qasja e vendimmarrjes është nga lart-poshtë. Kjo do të ishte gjithashtu një tregues i kulturës së përgjithshme të organizatës.”

Si të riformuloni pyetjet tuaja më pikante (por edhe më sensitive)

Një strategji e veçantë që Sarah këshillon quhet “përgatitja paraprake e pyetjeve”, ku kandidati fillimisht tregon diҫka për veten dhe më pas bën pyetjen. Ja disa shembuj:

  • Kërkoj të jem në një pozicion ku mund të rritem. Si evoluon ky pozicion me kalimin e kohës dhe cila është tendenca e njerëzve për t’u rritur në këtë pozicion?
  • Jam realisht i interesuar për marrëdhëniet që krijoj në punë. Më pëlqen natyra ndërpersonale e karrierës sime. A mund të më flisni pak për njerëzit me të cilët do të punoja më ngushtë?
  • Më pëlqejnë sfidat. A mund të më thoni cila vazhdon të jetë sfida më e madhe në këtë pozicion?

Pyetjet që duhet t’i bëni vetëm pasi të keni marrë ofertën e punës

Detajet e pozicionit tuaj të ri duhet të kërkohen vetëm pasi të keni marrë ofertën e punës. Për shembull, nëse jeni kurioz për orarin e punës, për paketat e përfitimeve apo edhe për pagën, të gjitha këto çështje do të trajtohen nga burimet njerëzore pasi të merrni dhe të pranoni ofertën.

Sarah gjithashtu këshillon të bëni një pyetje të veçantë pasi të keni marrë ofertën, por përpara se ta pranoni atë: “Do të doja të takoja një ose dy nga anëtarët e ekipit. A mund të organizohet ky takim?”

“Kjo tregon se ju dëshironi të takoni ekipin, se po tregoheni të kujdesshëm dhe se jeni të gatshëm për të investuar në këtë pozicion të ri,” thotë Sarah.

“Nëse ata thonë jo, atëherë ky është një sinjal negativ për këtë kompani. Mund të jetë tregues i një kulture jo të mirë ose i ndonjë çështjeje tjetër që ata nuk duan që ju ta zbuloni përpara se të filloni punë.”

2 pyetje të rëndësishme për t’i bërë vetes

Pas intervistës dhe pasi t’i keni bërë me kujdes pyetjet tuaja, Sarah gjithashtu do t’ju inkurajonte t’i bënit vetes dy pyetje të rëndësishme.

Ndoshta do të prisni deri në fundjavë, ose ndoshta prisni për një mbrëmje kur të jeni të qetë dhe të mund të mendoheni mirë për këto dy pyetje, përpara se të vazhdoni me ofertën e re të punës.

  • A mund ta shoh veten duke u rritur në këtë pozicion?
  • Përtej pagës, si do të ndikojë pozitivisht kjo punë në jetën time? / The Ladders