Qeveria e Kosovës ka shkarkuar bordin e kompanisë së ujitjes “Drini i Bardhë” me arsyetimin se ka qenë i pasuksesshëm, ndërkaq ka emëruar një bord të përkohshëm për këtë ndërmarrje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në bazë të raportit të auditimit të pasqyrave financiare 2019-20 nga Zyra Kombëtare e Auditimit konsiderohet se bordi nuk ka qenë i suksesshëm.
“Bordi ka ndërmarrë veprime në formimin dhe funksionalizimin e njësisë operative në Klinë përkundër faktit që në tremujorin e dytë të vitit 2021, ndërmarrja operon me humbje prej më se 36 mijë euro”, tha ajo.
Duke cituar Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Rizvanolli tha se Qeveria duhet t’i shkarkojë dhe t’i zëvendësojë drejtorët “nëse për dy vite radhazi ndërmarrja nuk përmbush planin e biznesit bie vlera e aseteve të ndërmarrjes ose rritet pakënaqësia e konsumatorëve me shërbime”.
“Aksionari konstaton se janë përmbushur kushtet për shkarkimin e drejtorëve dhe përveç kësaj bordi i kompanisë së ujitjes Drini i Bardhë nuk ka reflektuar në kërkesën e datës 17 shtator 2021 të Ministrisë së Ekonomisë për eliminimin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit brenda ndërmarrjes”, u shpreh Rizvanolli.
Në bordin e përkohshëm u votua për kryesuese Arjeta Zeka, ndërsa anëtarë Ilaz Halili, Arlinda Magbani dhe Ramiz Jukoviq.