Gjatë vitit 2021, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka kryer pagesa në vlerë të gjithsej 1 milionë e 286 mijë e 733 euro për përfitues, të cilët gëzojnë më shumë se një pension nga shteti.
Në raportin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Financave për vitin 2021, është identifikuar se është duke u vërejtur një rritje e vazhdueshme e shumës së këtyre pagesave vit pas viti, nga kjo ministri.
Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, vazhdojnë të jenë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, pagesa këto që Ministria e Financave i kishte kryer edhe vitin e kaluar bazuar në një vendim të ish-kryeministrit nr. 12/82 të datës 28.12.2018.
Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK dhe ish-pjesëtarët e TMK-së, deri në një interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale, përcjell Buletini Ekonomik.
Kjo shumë e paguar nga Thesari më 2021, ishte bërë për gjithsej 5 mijë e 748 përfitues, ku 4 mijë e 302 përfitues ishin pjestarë të Trupave të Armatosura të Kosovës (TMK), kurse 1 mijë e 399 përfitues tjerë ishin pjestarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas ZKA-së, shkak për këtë gjendje, ishte mungesa e interpretimit përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale, pandemia dhe fuzionimi i ministrisë.
Ndërkohë, “pagesat e pensioneve të dyfishta për personat e njëjtë pa një interpretim të bazës ligjore nga organet përgjegjëse, mund të dëmtojnë buxhetin e ministrisë”, specifikon Auditori.
Rekomandohet që ministri i Financave të inicojë procedurat për të bërë interpretim dhe vlerësim të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore në lidhje me pensionet e dyfishta, që financohen nga shteti.
Ndryshe, Ligji Nr.04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, rregullon pensionet bazë të moshës, pensionet kontribut pagues të moshës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet e parakohshme, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.
Sipas nenit 16 të këtij ligji, personat të cilët janë përfitues të cilitdo pension të skemave të përcaktuara me këtë ligj, në asnjë rrethanë nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni tjetër nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen nga shteti. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/